E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: S’ka arsye për falje

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka mbrojtur sërish paraqitjen e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë të Kosovës, me armë në duar, në manifestimin e “Epopesë së UÇK-së”. Ai ka theksuar se “askush në këtë botë nuk mund të kërkojë nga ne që të mos i respektojmë heronjtë tanë”.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë që të kërkohet falje për këtë paraqitje, e cila u bë shkak që komandanti i KFOR-it të pezullojë përkrahjen, mentorimin dhe trajnimin e këtyre forcave për afat të pacaktuar.

“Ky kërkim i faljes është ritual religjioz më shumë. Ata që shkojnë në xhami apo kishë, kanë nevojë të kërkojnë falje. Në këtë rast, nuk mendoj se është ndonjë arsye për të kërkuar falje. Është një arsye për sqarime të domosdoshme. Ne i kemi pasur sqarimet e duhura, do t’i bëjmë edhe tjerat”, ka thënë Kuçi, për gazetarët.

“Kosova është shtet, i ka institucionet e veta. Do ta respektojmë çdo njeri, qoftë vendor ose ndërkombëtar, që ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, askush në këtë botë nuk mund të kërkojë nga ne që të mos i respektojmë heronjtë tanë”, ka theksuar numri dy i Qeverisë.

“Mos të mendojë dikush që, përmes një rasti të tillë, mund ta mohojë të drejtën tonë për shtet, ta mohojë të drejtën për t’i respektuar vlerat tona kombëtare, kur e dimë të gjithë ne orientimin tonë për vlerat euroatlantike”.

Kuçi ka kujtuar se 5 marsi nuk ishte dita e parë kur FSK-ja është paraqitur e armatosur. Sidoqoftë, Kuçi ka thënë se nuk ka ndonjë betejë ndërmjet KFOR-it e Qeverisë. “Garda ka qenë me armë edhe kur kanë ardhur kryeministrat e ndryshëm, kur kanë ardhur edhe nënkryetarët e ndryshëm. Nuk është bërë kiameti që ka dalë me armë edhe atë ditë”.

“Unë mendoj se këtu nuk ka asnjë mosmarrëveshje dhe mos të harrojmë se këtu nuk ka betejë mes KFOR-it, FSK-së apo Qeverisë. Ka marrëdhënie të shkëlqyera, do të vazhdojnë marrëdhëniet e tilla, por njëkohësisht më duhet të them se do të vazhdojmë t’i respektojmë heronjtë tanë, të kaluarën tonë dhe traditën tonë”, ka thënë Kuçi, transmeton REL.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›