E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr e terror me armë mes 2 grupeve të rinjsh

Policia lokale ka identifikuar dhe bllokuar dy automjetet e braktisura nga ku u bë dhe shkëmbimi i zjarrit, ndërkohë që ka shpallur në kërkim dy të rinj të akuzuar për këtë ngjarje të rëndë 

KUÇOVË - Dje në qytetin e Urës Vajgurore, një sherr mes të rinjve ka përfunduar në përplasje me armë, por fatmirësisht pa viktima. Policia lokale ka identifikuar dhe bllokuar dy automjetet e braktisura nga ku u bë dhe shkëmbimi i zjarrit, ndërkohë që ka shpallur në kërkim dy të rinj të akuzuar për këtë ngjarje të rëndë. Sipas policisë, "ngjarja ndodhi në orën 11:30 të ditës së premte, në qendër të qytezës së Urës Vajgurore, përkatësisht para godinës së Albtelekomit. Mësohet se nga mjeti tip "Kraizer", ngjyrë të zezë e me targa të huaja, i cili drejtohej nga 27-vjeçari Arben Vrapi, lindur dhe banues në lagjen "Ferma Partizan" të qytetit, është gjuajtur me breshëri automatiku në drejtim të automjetit tip "Golf", që drejtohej nga 25-vjeçari Renato Gjini, banor i fshatit Kozare në Kuçovë. Breshëritë e armëve që terrorizuan banorët, vunë në alarm policinë, e cila u vu në ndjekje të automjetit "Kraizer". Pas gati 30 minutash makina u gjet e braktisur në të dalë të qytetit. Njëkohësisht, në vlerën e provës policia bllokoi dhe automjetin "Golf" që ishte objekt i breshërive me plumba. "Nga hetimet e para rezulton se përplasja me armë ka pasur si shkak një grindje mes 27-vjeçarit Vrapi dhe 25-vjeçarit Gjini. Ende nuk ka informacion më të plotë për shkaqet që çuan në përplasjen me armë mes dy grupeve të të rinjve. Njëkohësisht, në këtë ngjarje mendohet të jenë përfshirë dhe persona të tjerë, emrat e të cilëve do të publikohen gjatë hetimeve në proces", - pohojnë drejtues të policisë së Beratit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›