E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me armë për balerinat, vdes 26-vjeçari

DURRËS/ Emiljano Sula ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pas mbërritjes në spital për shkak të plagëve


Pronari i buzukut dhe nipi i tij janë vënë në pranga nga policia vetëm disa orë pas ngjarjes së ndodhur


DURRËS- Një shikim i gabuar mbi balerinat e buzukut i ka kushtuar jetën një 26-vjeçari nga Lushnja me banim në qytetin e Durrësit. Emiljano Sula ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës teksa ishte bashkë me shokët e tij në një buzuk në qytetin bregdetar.


Atje ai është grindur me pronarin e lokalit e më pas sherri ka përfunduar me përdorimin e armëve. Dy vetë janë vënë në pranga, ndërsa në pyetje janë marrë persona të ndryshëm, të cilët kanë bërë të mundur edhe zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur.


Ngjarja

Ka qenë ora 03:40 kur banorët e lagjes 11 të Durrësit janë zgjuar të tronditur dhe kanë dalë nëpër ballkone pasi kishin dëgjuar krisma pushkësh që kanë ushtuar qartë në qetësine e asaj ore.


Krismat kanë pasur intensitet të ndryshëm që dukej se dilnin nga dy armë të ndryshme, dhe pas pak u mësua se kishte qenë një duel, i cili përfundoi me vrasjen e një të riu (Emiljano Sula ndërroi jetë në spitalin rajonal të qytetit pak minuta pasi mbërriti atje).


Bëhet e ditur se në orët e vona, pranë buzukut në lagjen 11 të Durrësit ka parkuar edhe një mjet luksoz tip "Benz" me targa të huaja BB 826 TL, e cila ishte në pronësi të 26-vjeçarit Emiljano Sula. Së bashku me të në makinë ndodheshin edhe 4 shokë të tij, me të cilët kishin zgjedhur që të kalonin së bashku disa orë nën ritmet e muzikës që të ofronte buzuku së bashku me një ekip valltaresh.


Pasi kanë hyrë në lokal, nuk ka kaluar shumë dhe ka nisur një sherr. Sula është grindur me pronarin e lokalit, Fundim Dedja, për shkak të balerinave, të cilat kishin tërhequr vëmendjen e tij. Klienti dhe pronari kanë filluar një sherr me fjalë, më pas me grushta, shishe birre e që ka përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit.


Konflikti ka nisur në brendësi të lokalit është spostuar në trotuarin e jashtëm para hyrjes, ku ishte parkuar edhe mjeti i viktimës. Zjarri është shkëmbyer nga të dyja palët ku janë përdorur armë të kalibrave të ndryshëm dhe si përfundim ka mbetur i vrarë 26-vjeçari Sula.


Arrestimi


Rreth dy orë pas ngjarjes policia ka mundur të vërë në pranga autorin e krimit, Fundim Dedja. Tetë njësi me nga tre persona, në aksion për kapjen e hajdutëve ishin në gatishmëri e më pas shërbyen për arrestimin e autorit. Sipas policisë, Fundim Dedja u arrestua në afërsi të Shijakut, ndërsa në vendngjarje u sekuestrua një automatik dhe një pistoletë tip TT.


Blutë arritën të zbulojnë edhe disa gëzhoja të mbështjella e të hedhura në koshin e plehrave. Në pranga ka përfunduar edhe nipi i Dedjas, Sajmir Mema, i përfshirë në konflikt, pasi sipas policisë, një nga armët e gjetura në vendngjarje i përkiste atij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›