E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes policëve, shoqërohet inspektori Myftaraj, nipi i komisarit të vrarë Tahiraj

TIRANE- Agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë shoqëruar mëngjesin e sotëm nipin e komisarit të vrarë, Adem Tahiraj, me detyrë inspektor krimesh në Vorë.

Burime nga policia bëjnë të ditur se Përparim Myftaraj është shoqëruar pas një sherri mes tij dhe dy punonjësve të patrullës së policisë, për ndalimin e një makine që dyshohej se transportonte lëndë narkotike.

Mësohet se rreth orës 02:00 të mëngjesit, inspektori Përparim Myftaraj ka kërkuar nga patrulla që të shkonin në Vorë për të ndaluar dhe verifikuar një makinë, që dyshohej se transportonte drogë dhe armë.

Sipas të dhënave, patrulla e policisë ka shkuar në vendin e ngjarjes 1 orë me vonesë, ndërsa inspektori Myftaraj e kishte ndaluar vetë makinën dhe kishte kryer kontrollin e saj.

Për këtë arsye Myftaraj ka reaguar ashpër ndaj punonjësve të policisë, duke u përplasur edhe fizikisht me ta, të cilët dyshohet se ishin vonuar pasi kishin qenë në gjumë.

Pas përplasjes fizike, mëngjesin e sotëm është shoqëruar nga SHKB-ja inspektori Përparim Myftaraj për të dhënë shpjegime për incidentin e rrahjes mes tyre pasi dy efektivët e patrullës e kanë kallëzuar penalisht. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›