Kapet taksisti, mbante pakon me 100 gr heroinë
TIRANE Dy persona u arrestuan me drogë gjatë dy operacioneve të koduara nga policia e kryeqytetit Kredit dhe Pub. Policia ka vënë në pranga një taksist që po transportonte një pako me lëndë narkotike të llojit heroinë, nga Yrsheku tek Zogu i Zi. Po kështu, nga hetimi në gjendje të lirë i tre adoleshentëve të kapur me sasi të vogël kanabisi, është arritur të zbulohen personat që shisnin bimë narkotike. Sipas Policisë, u arrit sekuestrimi i sasisë prej 100 gramësh lëndë narkotike heroinë dhe u arrestua në flagrancë taksisti nga Yrsheku, Gentian Doçi, 23 vjeç. Taksisti u ndalua në afërsi të sheshit Rilindja në Tiranë, sepse pas një kontrolli në automjetin e tij, taksi, me targë TR 050 B, u gjet një pako me lëndë narkotike, për të cilën ai pretendon se nuk ishte në dijeni se çfarë ishte. Gjatë deklarimeve në polici, Doçi është shprehur se nuk kishte dijeni se çfarë pakoje po merrte në Yreshek, por thjesht i kishin komunikuar me telefon se duhej ta transportonte deri tek Zogu i Zi. Ndërsa në kuadër të operacionit të koduar Pub, u arrit sekuestrimi i sasisë prej 1 kg e 500 gramë hashash në afërsi të Stacionit të Trenit, duke përfunduar në pranga Bujar Dushku, 56 vjeç.