E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri i Atifetes

Dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, janë ballafaquar të premten në Kuvend për shkak të Atifete Jahjagës. Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se partia e saj nuk do të jetë pjesë e reformës zgjedhore nëse Presidentja nuk jep dorëheqje. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka theksuar se duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e shefes së shtetit.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përplasur në Kuvend të premten për shkak të moslargimit të Afitete Jahjagës nga posti i Presidentes, ashtu siç parashihet me marrëveshjen e prillit të vitit të kaluar.

Në fillim të seancës dy partitë rivale kanë shkëmbyer akuzat ndaj njëra - tjetrës rreth bllokimit të reformës zgjedhore dhe asaj kushtetuese për shkak të largimit të LDK’së nga këto komisione.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se nuk është partia e saj ajo që po e bllokon reformën zgjedhore dhe kushtetuese, por, siç tha ajo, Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi.

“LDK-ja nuk është ajo që po bllokon. Bllokuesit janë Jahjaga dhe Thaçi. LDK është e gatshme të vazhdojë reformën zgjedhore në momentin që Jahjaga të japë dorëheqje”, ka theksuar Osmani.

Për më tepër, ajo ka shtuar se në qoftë se nuk mbahen zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale, Jahjaga do të jetë një Presidente që përfaqëson pushtetin.

Sipas saj, vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese për të gjithë ata që e kanë lexuar assesi nuk e ndalon dorëheqjen dhe nuk e parandalon Kryeministrin të respektojë afatin e zgjedhjeve përfundimtare.

Deputetja Osmani ka thënë se shkelja e marrëveshjes dëmton jo vetëm unitetin politik, por edhe demokracinë dhe procesin e shtetndërtimit.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai është kundërpërgjigjur duke thënë se partia e tij nuk ka kërkuar interpretim për mandatin e Presidentes, por se këtë e ka bërë vetë LDK.

“Qëndrimet e PDK-së janë shumë të qarta. Asnjëherë nuk e ka luajtur rolin e bllokuesit. Gjithnjë kemi bërë dhe bëjmë përpjekje për zhbllokim të proceseve, për bashkëpunim dhe asnjëherë nuk kemi ikur nga përgjegjësitë, por i kemi marr përgjegjësitë që na kanë takuar. Kemi deklaruar shumë qartë, jemi për marrëveshje, por mbi të gjitha për respektimin e institucioneve tona. Institucioni më i lartë është Gjykata Kushtetuese. Pa fajin e PDK-së janë bllokuar proceset. Edhe në rastin konkret nuk ka kërkuar PDK-ja interpretim, por LDK-ja ka kërkuar interpretim”, ka thënë Grabovci.

Por, nuk ka përfunduar gjithçka këtu.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se nëse Grabovcit i mbetet merak të futet në LDK, le ta bëjë atë, por të mos bëjë deklarata në emër të LDK-së.

“Grabovci s’e di rregulloren. Nuk ka mund të bëjë replikë për qëndrimin politik të PDK-së. Nëse ka merak me hy në LDK, le të vjen po mos të flet në emër të LDK-së. Këto nuk qëndrojnë. Nuk është problemi kush i fiton zgjedhjet, por respektimi i institucionit dhe rezolutës”, ka thënë Beqiri.

Për krejt këtë ka komentuar edhe Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se amendamentet kushtetuese janë proceduar në Gjykatë duke u bazuar në Kushtetutë.

“Kjo nuk ka të bëjë asgjë me kërkesën që ka shkuar nga tjerat anë. Kërkesa jonë është në procedim kushtetues. Kush është këtu kah manipulon unë nuk mundem me ju përgjigj. E jona është procedim, nuk është kërkesë. Kjo është e vërteta e tjerat janë në kuadër të politikës propagandistike”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›