E mbyllin bashkë

Të gjithë janë përgatitur për të kremtuar fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë, që do të ndodhë pas dhjetë ditësh.
Kuvendi i Kosovës i Kosovës ka miratuar të premten ligjet që i japin fund mbikëqyrjes, ndërsa një javë më vonë do të miratohen edhe ndryshimet kushtetuese.
Për 1667 ditë të pavarësisë së mbikëqyrur, Kosovën e kanë njohur 92 shtete të botës, përfshirë vendet me të fuqishme të botës. Por, ende vazhdojnë ta kundërshtojnë Rusia e Kina.
Sidoqoftë, të hënën e dytë të këtij shtatori, Kosova do ta kremtojë fundin e pavarësisë së mbikëqyrur.
Për të shënuar këtë datë, institucionet shtetërore kanë përgatitur në detaje se si do të shkojë agjenda e ditës më të rëndësishme pas datës 17 Shkurtit 2008.
Sipas agjendës, pikërisht kur do të kumtohet vendimi për fundin e mbikëqyrjes, Grupi Ndërkombëtar Drejtues do të mbajë një mbledhje në ndërtesën e Qeverisë.
Përveç përfaqësuesve të vendeve që e kanë njohur Kosovën, që janë pjesë e GND’së, të pranishëm do të jenë edhe hartuesi i dokumentit mbi të cilin Kosova shpalli pavarësinë, Presidenti Marti Ahtisaari bashkë me dy ish-ndërmjetësit në bisedimeve Kosovë – Serbi, Wolfgang Ischinger dhe Frank Wisner.
Nikoqirë të mbledhjes do të jenë Kryeministri Hashim Thaçi, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.
Vendimi se mbyllet Zyra Civile Ndërkombëtare dhe merr fund pavarësia e mbikëqyrur do pritet të bëhet i ditur në të njëjtën ditë në konferencën e fundit që do ta mbajnë bashkë Thaçi me Feithin.
Pas konferencës, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të veçantë për të shënuar fundin e mbikëqyrjes. Aty do të flasin kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Pieter Feith, Presidentja Jahjaga, Kryeministri Thaçi, Presidenti Ahtisaari, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger dhe dy ish-ndërmjetësuesit Wisner e Ischinger.
Gjatë festës pritet të jetë i pranishëm edhe Komisionari për Zgjerim i BE’së, Stefan Fule.
Edhe në ditën e dytë është paraparë të mbahet një konferencë me temën “Kapitulli i mbyllur në Ballkan”, ku do të flasin Jahjaga, Thaçi, Feith, Ahtisaari, Wisner, Ishinger. Gjithë takimin mediat do të kenë mundësi ta përcjellin pandërprerë.
Gjatë sesionit për “Tranzicionin në kohën e globalizimit” do të flasin Ministri Hoxhaj, Ministri Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, Presidenti Bill Clinton përmes video-konferencës dhe zyrtarë të tjerë nga Japonia.
Aty pritet të marrin pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Austrisë, Jan Kickert , i dërguari i Gjermanisë për Europë, Graff Lambsdorff dhe shefi i EULEX’it, Xavier Bout de Marnhac.
Pjesëmarrës do të jenë edhe Philip Reeker nga Departamenti i Shtetit, Samuel Zbogar nga Zyra e BE’së.
Në listën e pjesëmarrësve në konferencë nga opozita janë vetëm Blerim Shala i AAK’së dhe Lutfi Haziri i LDK’së.
Në mbrëmje është paraparë që në Sheshin “Nëna Terezë” të mbahet një koncert me rok dhe jazz grupe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja.
Ndryshe, fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë më së shumti do t’i sjellë kompetenca Kryeministrit të Kosovës, i cili do të ketë kompetenca më shumë në fushën e ekonomisë, përkatësissht në Thesar dhe në emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Privatizimit dhe në Bankën Qendrore të Kosovës.
Përveç që kishte autoritet të korrektimit të legjislacionit dhe vendimeve të nxjerra nga institucionet e Kosovës, ICR, Pieter Feith emëronte edhe Auditorin e Përgjithshëm dhe anëtarët ndërkombëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ishte një vendim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Europian që e njohën shtetin e Kosovës, për të parë nga afër zbatimin e obligimeve që kishte marrë Kosova me Pakon e Ahtisaarit për respektimin e komuniteteve pakicë, sidomos komunitetit serb.
Njëherësh kjo fazë ishte menduar se do ta ndihmonte Kosovën në
rrumbullakimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe afirmimit të shtetit më të ri europian.
Edhe një seancë
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë edhe një seancë para dhjetë shtatorit, kur do të miratohen edhe ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me përmbylljen e pavarësisë.
Ndërkohë të premten Kuvendi ka miratuar pakon prej 21 ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas komisionit ad-hoc për amendamentimin e kushtetutës.
Më pas me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u votua Ligji për Përfundimin e Mbikëqyrjes së Pavarësisë, ku përfshihen 21 ligje.
Fillimisht kryetari i Komisionit për amandamentimin e ndryshimeve kushtetuese, Arsim Bajrami, ka falënderuar partnerët që kanë marrë pjesë në këtë proces.
“Kjo do të mundësojë që Kosova ta kryejë këtë para datës 10 shtator, në mënyrë që të merret vendimi për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë”, ka thënë Bajrami.
Edhe Kryeministri Thaçi ka kërkuar unitet të skenës politike për të përmbyllur fazën e pavarësisë së mbikëqyrur.
“Unë ju ftoj si kryeministër edhe pas konsultimit të plotë me partitë politike t’i japim mbështetje të plotë propozimit të Komisionit, që është edhe propozim i Qeverisë i koordinuar ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Kosova është rast specifik dhe ka edhe specifika të veçanta. Është çështje e ngushtë e nuk ka të bëjë me një amendament. Qeveria është në proces të miratimit të ligjit për liritë fetare. Propozoj t’i japim mbështetje të plotë propozimit të komisionit”, ka thënë kryeministri.