Miratohen ligjet për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë

Më pas me 63 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim u votuar Ligji për Përfundimin e Mbikëqyrjes së Pavarësisë, ku përfshihen 21 ligje.
Fillimisht kryetari i komisionit për amandamentimin e ndryshimeve kushtetuese, Arsim Bajrami ka falënderuar partnerët që kanë marrë pjesë në këtë proces.
Ai ka sqaruar se në vend të fjalës përmbyllje është vënë fjala përfundim i mbikqyrjes së pavarësisë.
Sipas tij me këtë pako të ndryshimeve nuk preket asnjë e drejtë e komuniteteve pakicë. Më pas, ai ka kërkuar nga deputetët që të mbështesin këto ndryshime kushtetuese.
“Lus seancën plenare ta mbështesë. Komisioni ka bërë edhe propozimin për miratimin e 22 amandamenteve kushtetuese që do të diskutohen në seancën e javës së ardhshme. Kjo do të mundësojë që Kosova ta kryejë këtë para datës 10 shtator, në mënyrë që të merret vendimi për përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë”, ka thënë Bajrami.
Edhe Grupi Parlamentar i LDK-së ka përkrahur këto ndryshime, duke vlerësuar se është moment i shënuar për Kosovën, për faktin se përfundimi i mbkqyrjes tregon për pjekurinë institucionale, në veçanti të Kuvendit.
Më pas kanë filluar votimi i amendamenteve veç e veç. Por tek amendamentet që kanë të bëjnë me rregullimin e ekuilibrit të bashkësive fetare, ka pasur një debat të gjatë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se Kosovës i janë kërkuar garanci për bashkësitë fetare, specifikisht për Kishën Ortodokse.
“Pse po e bëjmë këtë punë ne sot? A për shkak se e kemi bo një problem që kemi pas me bashkësitë fetare apo është pjesë e një procesi më të gjanë politik? U tha se Kosova nuk ka pas probleme me bashkësitë fetare që është dashtë me e ndryshu ndonjë ligj. Kosovës i janë kërkuar garanca për bashkësitë fetare, specifikisht Kishën Ortodokse Serbe”, ka thënë Gjini.
Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu nuk është pajtuar me deputetin Ardian Gjini, duke i thënë se nismat për hulumtime shkencore dhe intervenimet për mbrojtjen e monumenteve dhe restaurim nuk janë ndërhyrje arbitrare, sepse ato bëhen me kërkesë dhe autoriteti fetar nuk duhet të ketë kompetencën që t’i ndalojë.
Më pas ka marrë fjalën edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Kosova është para një realiteti, të cilin, siç u shpreh ai, dëshiron ta tejkalojnë bashkërisht.
Ai ka folur për takimet që janë zhvilluar gjatë këtyre ditëve për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, ku në këto takime nuk kanë marr pjesë vetëm përfaqësuesit e lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Qeverisë ka ftuar që të mbështesin propozimin e komisionit që ka nxjerrë propozimet të koordinuar në bashkëpunim me Qeverinë dhe komunitetin ndërkombëtar.
“Unë ju ftoj si kryeministër edhe pas konsultimit të plotë me partitë politike t’i japim mbështetje të plotë propozimit të Komisionit që është edhe propozim i Qeverisë i koordinuar ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Kosova është rast specifik dhe ka edhe specifika të veçanta. Është çështje e ngushtë e nuk ka të bëjë me një amandament. Qeveria është në proces të miratimit të ligjit për liritë fetare. Propozoj t’i japim mbështetje të plotë propozimit të komisionit”, ka thënë kryeministri.
Nga tjetër, deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni ka thënë se vërejtja e tij ka të bëjë me amendamenti 32 që rregullon vetëm çështjen e identitetit të bashkësive fetare.
“A duhet të themi ne se Kisha Ortodokse Serbe është pjesë e Kishës Ortodokse në Beograd. A mund t’i konsiderojmë gjithë ortodoksit në Kosovë se janë pjesë e ortodoksëve në Beograd”, ka thënë Hyseni.
Më pas me shumicë votash kanë kaluar amendamentet 32, 33 dhe 37 të propozuara nga deputeti Hyseni.
Por është kërkuar një pauzë 10 minutëshe, për t’u konsultuar Kryesia e Kuvendit me administratën, në mënyrë që të shikojnë se si kanë votuar komunitetet.
Pas kthimit në seancë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka lexuar nenin 81 të kushtetutës që thotë se për t’u bërë ndryshimet apo shfuqizimi i ligjeve, kërkohet vota e shumicës së të pranishmëve dhe vota e dyfishtë e komuniteteve. Pas verifikimeve është parë që komunitetet kanë votuar kundër nenve të propozuara nga deputeti Hyseni.
“Neni 81: Për miratimin e ndryshimit ose shfuqizimin e ligjeve kërkohet vota e shumicës së deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë dhe shumicës së deputetëve që janë të pranishëm e që votojnë që mbajnë vendet e rezervuara dhe granatuara joshumicë. Amandamenti 32, 33 dhe 37 nuk e kanë shumicën e dyfishtë”, ka thënë Krasniqi.
Në amendamentin 31 prej komuniteteve pakicë prezent kanë qenë 18 deputetë, ndërsa kanë votuar 17 kundër dhe 1 për.
Në amendamentin 33, prezent kanë qenë 10 deputetë, prej tyre 9 kanë votuar kundër dhe 1 për.
Ndërkaq për amendamentin 37, prezent kanë qenë 15 deputetë dhe të gjithë kanë votuar kundër, që do të thotë se këto amendamente nuk e kanë marrë votimin e dyfishtë.
Më pas është hedhur në votim Ligji për përfundimin e Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës, i cili ka kaluar me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim./kosovapress/