E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi Skënderbej, bashkia e qeveria nxjerrin shpatat

Rama përuron fillimin e punimeve. Olldashi: Do ta bllokoj

Sheshi “Skënderbej” i zhurmshëm nga paradat e “fitimtarëve” dikur dhe thirrjet e mitingashëve politikë të dy dekadave të demokracisë, duket se do të shkundet edhe një herë, tani në një përplasje të re inatçore të dy pushteteve. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe ata të qeverisë “kanë nxjerrë shpatat” në këmbët e Skënderbeut, si për të na kujtuar sherrin për “Zogun e Zi” dhe rruspat në mbi 500 mijë euro të çuara dëm. Bashkia e Tiranës inauguroi dje fillimin e punimeve për rivitalizimin e sheshit “Skënderbej“. Lufta e deklaratave të ditëve të fundit u finalizua me nisjen e fazës së parë të punimeve. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, e vlerësoi projektin si një nga më të rëndësishmit, më kompleksët dhe njëkohësisht më të ndërlikuarit që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë. Por e konsideroi edhe si një projekt “i cili do t’i japë mundësinë sheshit “Skënderbej”, të përjetojë rilindjen e tij, me një ambicie që është ambicia për ta kthyer këtë shesh, jo vetëm si një vend ku jehon historia e këtij qyteti, por edhe si një pasqyrë të një shekulli të ri, si një hapësirë për të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, apo për të gjithë ata që do ta vizitojnë këtë qytet, të pashqetësuar nga makinat”, siç u shpreh vetë ai.

Por nuk ka qenë i të njëjtit mendim ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Ai ka kërkuar dorëzimin e projektit pranë KRRTRSH-së për miratim, pasi për këtë shesh bashkia nuk ka një projekt. “Përshëndes nxitimin e Ramës pas thirrjes së qeverisë për sheshin. Bashkia nuk ka projekt për sheshin. Ndryshimet duhet të kalojnë në KRRTRSH. Ftoj Ramën të dërgoj për miratim në MPPTT planin për rikonstruktimin e sheshit”, u shpreh dje Olldashi, menjëherë pas ceremonisë së fillimit të punimeve nga Bashkia e Tiranës. Ministri Sokol Olldashi nuk ka ngurruar që të lëshojë edhe akuza kundër Bashkisë së Tiranës si ajo që “në projektin fillestar janë bërë ndryshime për qëllime klienteliste”. Ndërkohë që bllokimi i punimeve nga ana e Ministrisë së Punëve Publike në këtë pikë të konfliktit, duket thuajse i pashmangshëm.

Vetë kryebashkiaku Rama, gjatë prezantimit të kësaj sipërmarrjeje tha se bëhet fjalë për një projekt, shumë të ndërlikuar, pasi do të ketë një infrastrukturë nëntokësore të papërdorur ndonjëherë më parë në Shqipëri. “Do të ketë njëkohësisht një infrastrukturë ujore, e cila do të shërbejë për ta kthyer sheshin, sipas dëshirës dhe rasteve të caktuara në një shesh me shatërvanë të lartësive të ndryshme ose në një shesh pa asnjë pikë ujë. Kjo do të varet nga mënyra se si do të administrohet. Dua të theksoj se uji që do të përdoret për ta lagur, për ta zbukuruar sheshin, për të krijuar mundësi për lojëra të fëmijëve gjatë verës me ujin, nuk do të jetë ujë i pijshëm, por do të jetë ujë shiu. Këtë ujë shiu do ta grumbullojë vetiu sheshi, falë infrastrukturës së posaçme nëntokësore dhe ajo që është më e rëndësishmja, ky do të jetë një shesh i qytetit dhe i qytetarëve, pa makina, i rrethuar nga një kurorë e gjelbër që do ta realizojmë përmes pemëve të shumta që do të mbjellim në të gjithë perimetrin e tij, duke e kthyer në një oaz për të gjithë ata që do të duan të jenë në mes të Tiranës, por larg trafikut të Tiranës”, tha Rama. Ai ka kërkuar disa herë bashkëpunimin e të gjithëve, sepse trafiku i cili do të devijohet, do të ketë vështirësitë e veta. “Duhet durim, duhet mbështetje, me bindjen se pas një periudhe jo të lehtë për shkak të punimeve intensive, por shumë të gjera që do të kryhen në shesh, do të kemi sheshin që të gjithë kemi dëshiruar për vite e vite me radhë”, theksoi kryebashkiaku, duke paralajmëruar kështu ditë akoma më të zeza për trafikun në Tiranë, e sidomos në perimetrin e qendrës së saj.

Deklaratat e kryebashkiakut për bllokim nga ana e qeverisë të ndërtimit të segmenteve të unazës së vogël që do të shpërndanin qarkullimin e qendrës, pas nisjes së punimeve të sheshit, morën një kundërpërgjigje të ashpër nga kreu i qeverisë Sali Berisha. Ky i fundit e quajti një turp pamjen që të ofron sheshi “Skënderbej” dhe duke e cilësuar direkt përgjegjës Edi Ramën, urdhëroi ministrin e tij, Sokol Olldashi, që të niste asfaltimin e gropave të këtij sheshi. Dy ditë më parë, specialistët e Ministrisë së Punëve Publike kryen edhe matjet në këtë shesh. Por, një ditë më pas, Bashkia e Tiranës bëri publike nisjen e punimeve, të cilat nuk dihet se çfarë fati do të kenë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›