E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi Skënderbej, nis faza e dytë e punimeve

Kufizimet e trafikut në disa rrugë, zonat ku do të bllokohet parkimi

Nis zbatimi i fazës së dytë të punimeve në sheshin “Skënderbej”.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, së bashku me ekspertë të urbanistikës, ka prezantuar për të gjithë banorët kryeqytetas ecurinë e punimeve të mëtejshme në sheshin më të përfolur kohët e fundit, territorin identifikues të të gjithë shqiptarëve. Konkretisht, sipas kreut të bashkisë, Edi Rama, deklarohet zyrtarisht e hapur faza e dytë e punimeve në sheshin “Skënderbej”. Këto punime do të shtrihen përreth sheshit, përpara Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar, Bankës së Shqipërisë dhe në lulishten pas monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Drejtues dhe ekspertë të Bashkisë së Tiranës kanë prezantuar fazën e dytë të punimeve, e cila ka të bëjë me kufizimin ose devijimin e trafikut në disa zona të sheshit, për të mundësuar normalitetin e këtyre punimeve.

Trafiku

Kjo fazë e re punimesh do të kufizojë trafikun përreth qendrës të Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombëtar, në fillim të Rrugës së Kavajës dhe para Bankës së Shqipërisë. Kufizimi i qarkullimit në qendër do të bëhet në pjesë të veçanta, për të mos krijuar kolaps. Tashmë qarkullimi i automjeteve do të orientohet në Unazën e Vogël pjesërisht, në rrugën pas muzeut, duke vazhduar pas Bankës së Shqipërisë, duke u lidhur nëpërmjet urës së re, mes pallateve të Shallvareve dhe pallateve Agimi, me dy senset e Unazës.

Rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit” do të bëhet me dy kalime. Ndërkohë bllokimi i një pjese të sheshit, përpara Pallatit të Kulturës, do ta devijojë trafikun pas tij dhe do të ndryshojë kahun e qarkullimit të automjeteve edhe në rrugën “Qemal Stafa”, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ku automjetet do të lëvizin vetëm në drejtim të Unazës drejt rrugës “Bardhyl”.

Parkimet

Punimet do të bëjnë që të hiqen parkimet në rrugën “Mine Peza”, përpara selisë së PS-së dhe rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit”.

Gjatë punimeve pranë monumentit të “Skënderbeut” është nxjerrë dhe pllaka e fundit e monumentit të “Stalinit”, që ishte vendosur aty para se të ngrihej monumenti i Heroit Kombëtar.
Kryetari i Bashkisë, Rama, i ka konsideruar mjaft të vështira dhe të rëndësishme punimet në infrastrukturën nëntokësore, ndaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve. “Do të fillojmë të menaxhojmë në mënyrë të ndryshme trafikun rreth dhe përmes sheshit, duke kaluar në pjesë të sheshit që do të bllokohen dhe pjesë të tjera që do të mbeten të hapura për trafikun. Dua të vë theksin te nevoja e bashkëpunimit me qytetarët, nevoja e pjesëmarrjes së të gjithëve nëpërmjet durimit dhe këmbënguljes që është i nevojshëm në këtë fazë”, tha kryebashkiaku Edi Rama.
Ndër të tjera, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit, pjesëmarrjes e mirëkuptimit të të gjithë qytetarëve, në realizimin dhe mbarëvajtjen e punës për këtë projekt, Rama iu drejtua banorëve të Tiranës me këtë mesazh: “Sot u njohët me prezantimin e detajuar të fazës tjetër të punës, e cila tashmë përbën një sfidë të përbashkët edhe me qytetarët, pasi do të fillojmë të menaxhojmë në një mënyrë të ndryshme trafikun rreth dhe përmes sheshit, duke kaluar në pjesë të sheshit që do të bllokohen dhe pjesë të tjera që do të mbeten të hapura për trafikun”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›