Eficienca e përdorimit të ujit në hidrocentrale u ul më 2009-n
Përdorimi i ujit në kaskadën e Drinit ka qenë me efektivitet më të ulët gjatë vitit 2009 në krahasim me vitin 2008, por Enti Rregullator i Energjisë Elektrike beson se gjithsesi KESH ka punuar mirë. Vitin e kaluar, në vendin tonë u konsumuan nëpër hidrocentrale 6 miliardë metër kub ujë, me të cilat u prodhuan 5.2 miliardë kWh. KESH shpenzoi mesatarisht 1.19 metër kub ujë për të prodhuar një kilovator energji. Në vitin 2008, qe shpenzuar vetëm 1.04 metër kub ujë për të prodhuar një kilovator me eficiencë shumë më të lartë se sa vitin e kaluar. Gjatë tetë viteve të fundit, KESH ka konsumuar mesatarisht 1.26 metër kub ujë për kilovator energji të prodhuar. ”Sikurse vihet re, pavarësisht se 2009 ka qenë një vit i favorshëm nga pikëpamja hidrologjike, ERE vëren se performanca e KESH në shfrytëzimin e rezervës hidroenergjetike të kaskadës së lumit Drin ka qenë e kënaqshme. Konsumi specifik i ujit prej 1.19 m³/kWh tregon se uji është shfrytëzuar me efikasitet të lartë. Niveli e rezervuarit të Fierzës në krahasim me vitet e mëparshëm është administruar me efektivitet më të lartë, çka tregon për një harmonizim shumë të mirë të importit me prodhimin vendës. Gjatë vitit 2009, me gjithë reshjet e bollshme, nuk ka pasur shkarkime uji nga rezervuari i Fierzës dhe shkarkimet nga Vau i Dejës nuk kanë qenë të rëndësishme dhe janë bërë vetëm mbasi të gjithë agregatët e centralit kanë punuar me ngarkesë maksimale”, thotë Enti Rregullator në raportin vjetor.
Eficienca teknikeTeorikisht Shqipëria ka kapacitet të prodhojë mbi 7 miliardë kilovatorë në vit, por nuk ka qenë kurrë në gjendje të prodhojë një sasi të tillë për shkak se kaskada e Drinit është shfrytëzuar në funksion të konsumit të energjisë në vend dhe jo në funksion të marrjes së prodhimit maksimal të mundshëm. Eficienca e përdorimit të ujit në kaskadë varet nga lartësia e rënies së ujit në turbina. Pra n.q.s Fierza është në lartësinë 295 metra mbi nivelin e detit, prodhohet më shumë energji për të njëjtën sasi uji të shpenzuar në raport me prodhimin që merret kur niveli është 260 metra. Sipas vlerësimeve të ERE-s, përdorimi me eficiencë i kaskadës së Drinit mund të japë deri në 1.6 herë më shumë energji me të njëjtën sasi uji të disponueshme. Por gjatë dekadës së fundit, kufizimet e karakterit politik kanë sjellë edhe eficiencë të ulët në prodhim. Kështu, ndalimi me ligj i eksporteve të energjisë në vitin 2003, bëri që një sasi e konsiderueshme uji të derdhej pa prodhuar, për shkak se prodhimi ishte më i lartë se sa konsumi dhe KESH nuk kishte ku ta çonte energjinë. Liberalizimi i tregut rajonal të energjisë elektrike mund të bëjë që Shqipëria të prodhojë aq energji sa konsumon dhe në vite të mira, edhe më shumë.
#