Reformat ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në Janar të vitit 2012 mbushen plot tre vjet nga dita kur presidenti amerikan Barak Obama do të hynte në Shtëpinë e Bardhë. Asokohe debia publike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës arrinte në rreth 10 mijë miliardë dollarë ndërsa sot shkon përtej 15 mijë miliardë dollarëve. Flitet se presidenti Klinton i kishte lënë në trashëgim presidentit Xhorxh W. Bush rreth 5 mijë miliardë duke e dyfishuar këtë shifër në tetë vitet e tij. Ndoshta çelësi kryesor për zgjidhjen e këtij problemi mund të jenë zgjedhjet e vitit 2012 por sidoqoftë duhet kujtuar se kriza financiare e vitit 2008, shpëtimi i bankave dhe sipërmarrjeve, luftërat që erdhën pas 11 shtatorit kanë bërë të mundur rritjen e debisë publike amerikane. Sidoqoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga të dyja anët e politikës ky problem është i njohur dhe palët kërkojnë me vendosmëri ta zgjidhin këtë problem. Ndoshta mënyrat për të reduktuar debinë janë dy ose me shkurtim të shpenzimeve ose duke rritur të ardhurat në buxhet por ekziston edhe një mënyrë e tretë që do të ishte kombinimi më i mirë i mundshëm mes të dy mënyrave. Gjithsesi të reduktosh buxhetin do të thotë që të shkurtohen vendet e punës, do të thotë që të goditen pensionet duke i dhënë një goditje akoma dhe më të madhe ekonomisë amerikane. Nga ana tjetër rritja e të ardhurave do të thotë rritje taksash që mund të përkthehej në një ngadalësim të rritjes ekonomike. Demokratët janë kundra shkurtimeve por në të njëjtën kohë janë pro rritjes së taksave për të pasurit ndërsa republikanët kërkojnë shkurtimin e shpenzimeve. Të dy palët ndodhen në një gjendje pati dhe sipas opinionistit të New York Times, David Brooks, një prej motiveve është ndryshimi kulturor i sistemit politik amerikan që një herë e një kohë ishte si sistemi Diellor: Ekzistonte një parti e shumicës - një parti Diell që udhëhiqte vendin - dhe në të njëjtën kohë ekzistonte një parti e pakicës - partia Hënë që shkëlqente nëpërmjet dritës së reflektuar. Por aktualisht nuk është më kështu sepse asnjë prej partive nuk ka shumicën e vërtetë dhe në këtë mënyrë asnjëra nuk mund të udhëheqë. Nisur ndoshta edhe nga kjo Washingtoni i ka besuar teknikëve të tij uljen e debisë por pa arritur që të ecë përpara për faktin e thjeshtë se askush nuk ka më votat e shumicës. Ndoshta kjo mund të favorizojë presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në zgjedhjet e ardhshme amerikane. Sidoqoftë të gjitha këto nuk kanë favorizuar Gdp amerikane që gjithsesi është rritur në trimestrin e tretë me 2%, por sipas parashikimeve duhet të ishte 2,5%. Presidenti Obama i ka kërkuar parlamentit që të aprovonte marrjen e disa masave në mënyrë që të papunët mos të gjendeshin pa të ardhuara dhe në të njëjtën kohë kontribuesit amerikanë mos të paguanin rreth 1000 dollarë më tepër në vitin 2012. Nga ana tjetër disa parlamentarë republikanë janë duke pregatitur disa propozime për shkurtimet në shpenzimet ushtarake buxheti dhjetëvjeçar i të cilës sipas mekanizmave automatikë do të shkurtohet me 500 miliardë dollarë ndërsa shkurtimet automatike do t’i përkasin shpenzimeve në arsim, në mbrojtjen e ambientit, në asistencën e veteranëve të luftës dhe në shërbimet sociale. Falimentimi i superkomisionit për reformën strukturore të debisë amerikane tashmë është shtyrë pas votimeve të vitit 2012. Sidoqoftë presidenti amerikan Barak Obama beson akoma se do të gjendet një kompromis përpara zgjedhjeve të vitit 2012, kur populli amerikan do të shkojë të votojë.