Sheshi i Prishtinës kryhet deri më 11 qershor

Punimet në sheshin “Ibrahim Rugova” në kryeqytet pritet të përfundojnë para 11 qershorit – Ditës së Çlirimit, kur, sipas kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, pritet të inaugurohet ky shesh.
Mustafa ka inspektuar gjatë ditës punimet në shesh, ndërsa ka thënë se pjesa dërmuese e punimeve tashmë kanë përfunduar. Lideri i LDK-së, i pyetur nëse është rritur intensiteti i punimeve shkaku i afrimit të zgjedhjeve lokale, ka mohuar një gjë të tillë. “Punimet nuk kanë të bëjnë me vitin e zgjedhjeve, por me punë të planifikuara më herët nga ana e Komunës”, ka thënë Mustafa.
Një pjesë e punimeve janë bartur nga viti i kaluar, ndërsa ka thënë se nuk garanton nëse një pjesë e punimeve do të barten për vitin e ardhshëm. Në disa lokacione, sipas kryetarit të Prishtinës, ka pasur probleme pronësore, që pritet të zgjidhen, e në disa edhe me punëkryesit, për çka janë në procedurë për ndërprerjen e punimeve dhe rishpalljen e tenderëve./Indeksonline/