E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi, vijojnë punimet nga bashkia e Tiranës

Edhe pse Ministria e Mjedisit pezulloi punimet një ditë më parë ndaj Bashkisë së Tiranës në Sheshin Skënderbej, puna në kantierin e ndërtimit të qendrës ka vijuar rrjedhën e saj në fundjavën e Pashkëve.
Punonjësit e firmës kontraktuese dhe përfaqësuesit e Bashkisë kanë pohuar për "Ora News" se nuk ka patur asnjë pengesë nga Policia Ndërtimore për ndërprerjen e punimeve.
Sondat kanë vijuar gërmimet për hapjen e kateve të nëndheshme në pjesën pranë monumentit të kryeheroit Skënderbej duke sqaruar se po respektohen e kriteret e lejes mjedisore dhe asaj të mbrojtjes së monumenteve.
Ndërkohë inxhinierët gjeodetë janë marrë me matjet për të hartuar planin e piketimit ashtu si para një jave veproi dhe Ministria e Transporteve për projektin e asfaltimit të sheshit nga qeveria. Inxhineret kanë kryer verifikimet e terrenit në pjesën e kioskës ose ish shatërvanit të qendrës së kryeqytetit.
Ende pritet një reagim pas deklaratës së deputetit të Partisë Demokratike Aldo Bumçi për ndërprerjen e menjëhershme të punimeve të vlerësuara si të jashtëligjshme por që deputeti i Partisë Socialiste Ditmir Bushati iu kundërpërgjigj po me argumenta ligjore që justifikojnë sipas tij këtë ndërhyrje shumplanëshe në sheshin "Skënderbej'.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›