Shëtitje në Shqipëri me shtëpi me rrota
Filloi sezoni turistik veror në Shqipëri. Jam me një grup miqsh. Të gjithë pensionistë nga qytete të ndryshme të Italisë. I lidh mes tyre pasioni i përbashkët për shëtitje nëpër botë me kamperat e tyre. Kamperat janë automjete të përshtatshëm për udhëtime, “shtëpi me rrota”. Këtë pranverë, këta njerëz kurajozë kishin vendosur bashkërisht të vizitojnë Shqipërinë. Pesëmbëdhjetë ditë në vendin e shqipeve. Nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Qëllimi i vizitës ishte të konkretizonin dijet e mbledhura mbi natyrën dhe kulturën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Të vendosësh të udhëtosh me kamper nëpër rrugët e Shqipërisë, është ende punë e vështirë, sepse shpesh në mjetet e informimit flitet për rrugë të papërshtatshme, trafik kaotik dhe struktura pritëse të pa ndërtuara për këtë lloj turizmi”, thotë Raul Tasinari.
është hera e tretë që brenda pesë vjetësh Raul vjen për pushime në Shqipëri, i shoqëruar nga qeni i tij Pepe. Madje, është ai që është bërë edhe garant i miqve të tij, se udhëtimi në vendin e shqipeve jo vetëm është i mundur, por edhe i këndshëm dhe mbresëlënës, si pak udhëtime në botë. Raul madje, së bashku me gruan Rozana, janë bërë nxitës të turizmit në Shqipëri në rajonin e Emilia Romanjës. Ata marrin pjesë në takime të ndryshme ku flasin dhe shfaqin fotografitë e udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Tonino është shtatëdhjetë vjeç, bashkë me gruan e tij Luçiana, janë çift gazmor dhe mjaft kuriozë. Kamperin e tyre dyzetedy kuintalësh e drejton me mjeshtëri Tonino, mjek gjinekolog në profesion. Tonino u kënaq pa masë kur një defekt në mjetin e tij, e rregulloi në një servis me parametra, kohë dhe disiplinë sikur të ishte në Itali. Më ftuan në kamperin e tyre dhe Luçiana më priti me gjellë të gatuara mjeshtërisht ashtu si gatuajnë italianët, si dhe me verë nga vreshtat e Umbrias. Tonino nuk mund të shkëputet nga telelajmet prej vendit të vet. Ai ngriti antenën e kamperit dhe më tha se kishte mbetur i habitur se edhe në shumë bare ku kishte ndaluar, kishte vënë re se njerëzit ndiqnin lajmet, apo kampionatin italian të futbollit. Drekën tek ata e shoqëruam duke parë garat e Formula One në Turqi.
Ky grup kamperistësh përbëhet nga pesë kampera. Ata udhëtojnë vetëm në rrugë të asfaltuara mirë. Nuk mund të udhëtojnë në rrugë me gropa. Ata kanë nevojë që në itinerarin e tyre të gjejnë vende të caktuara, ku të kenë mundësi për t’u parkuar, ku të furnizohen me naftë dhe ujë dhe të shkarkojnë mbeturinat e ditës. Vende të tilla ende nuk ka në rrugët e Shqipërisë, por gjithsesi këto shërbime improvizohen në sheshe të pikave të shumta të furnizimit me karburant, si dhe në sheshe pranë hoteleve. Në Qeparo, buzë detit, rruga e asfaltuar përfundon me një shesh pushimi shumë të përshtatshëm, të cilin fshati mund ta përdorë për të nxjerrë të ardhura nga parkimi i organizuar. Po ashtu edhe në Dhërmi ka vend për një shesh parkimi publik, ku të ardhurat të shkojnë në të mirë të përpunimit të mbeturinave që shihen përgjatë rrugës të hedhura pa kujdes. Në Pogradec, po ashtu. Madje, pushteti lokal aty, mjafton të marrë eksperiencë në Maqedoni që t’i shohë hairin kësaj pune.
Xhiankarlo dhe Luçia vinë nga Verbania, një qytet i bukur buzë Lago Magiore. Qyteti i tyre është me turizëm të zhvilluar dhe kur shikojnë bukuritë e peizazhit shqiptar, iu vjen keq që për pak punë dhe organizim, në drejtim të mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave, shëtitja në Shqipëri bëhet më e bukur dhe më shumë mbresëlënëse. Gjithsesi kjo Luçi, sepse në grup janë tre Luçia, është e pasionuar pas dëshmive kulturore në tokën e Shqipërisë. Ajo i shpjegon grupit për qendrat arkeologjike, kishat paleokristiane, Bizantin, Romën, vende që bëhen objekt i transfertave të tyre rrugëve të Shqipërisë.
Enio dhe gruaja e tij Luçia, ashtu si dhe çifti tjetër Miro dhe Savina, vijnë nga rajoni i Friulit. Ata banojnë pranë maleve të bukura të kufirit mes Italisë dhe Sllovenisë. Të gjithë janë moshatarë me mua. Janë ata që dikur më mungonin gjatë shëtitjeve të mia, vite e vite më parë, në natyrën mahnitëse dhe kulturën e Shqipërisë, ashtu si edhe unë iu mungoja në malet dhe kulturën e tyre italo-sllovene. Biseda me ta rrjedh si ujërat e Izoncos apo të Valbonës. Enio më tregon për djalin e tij Andrea, i cili punon si mjeshtër i pyjeve në Itali dhe vajzën Helena. Vajza e Marinos, Aleksandra studion në Universitet për t’u bërë inxhiniere mekanike. Unë iu tregoj se jam bërë gjysh.
Në Liqenin e Ohrit, Marino më tha se në dialektin e tyre slloven fjala mokër, mokra, do të thotë njomishte, vend me ujë, i lagur. Ky shpjegim, ndoshta, na jep çelësin për të kuptuar lidhjen mes emrit Ohër, krahinës Mokër dhe tokave të lagështa rreth e rreth liqenit të Liknidëve, emrin e të cilëve e ruan fshati i mrekullueshëm Lin me rrënojat e kishës së vet paleokristiane.
Shënimet e mia të shkurtra për udhëtimin në natyrën dhe kulturën e Shqipërisë me miqtë e mi kamperistë, po i ndërpres sepse miqtë po më thërrasin në drekën e tyre mes lëndinave të Ersekës në kuotën 1020m. Savina ka bërë spageti me tartuf.
Ata më uruan që Shqipëria të kuptojë sa më shpejt që të jetë e mundur, se në Itali dhe në Europë, ka shumë kamperistë që duan të vizitojnë Shqipërinë. Për këtë mjafton vetëm pak kujdes për plotësimin e atyre kushteve elementare nëpër rrugët që po bëni.
#