E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shezai Rrokaj: Ja pse refuzova kandidimin

TIRANE- Përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ylli Manjani dorëzoi dje në KQZ rreth orës 20:30 listën e 140 kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta do të kryesojë listën për Qarkun e Tiranës, i pasuar nga kryetarja e forumit të gruas së LSI, Klajda Gjosha. I treti në listë po për këtë qark është përcaktuar, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama. Ndërkohë nënkryetari i LSI, Edmond Haxhinasto do të kryesojë listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Elbasanit. Në Berat, i pari në listë do të jetë Nasip Naço. Kurse kreu aktual i grupit parlamentar të LSI, Lefter Koka do të kryesojë listën e kandidatëve për Qarkun e Durrësit, i pasuar në listë nga ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti. Nga ana tjetër, anëtarja e kryesisë së LSI, Monika Kryemadhi kryeson listën e Qarkut të Lezhës. 

Ndër 140 kandidatët e kësaj partie që do të garojnë në 12 qarqet e vendit në zgjedhjet e 23 qershorit ka rënë në sy mungesa e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim për degën e Tiranës, Shezai Rrokaj. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” ai ka sqaruar dje arsyet e mospërfshirjes në listën e deputetëve. Rrokaj bëri të ditur se e refuzoi ofertën e Metës për të garuar në zgjedhje me argumentin se preferon votëbesimin që i kanë dhënë profesorët duke e zgjedhur në postin e dekanit të fakultetit të Histori- Filologji. 

“Më mirë se sa ajo ofertë që më dha zoti Meta preferova votëbesimin që më dhanë Profesorët për momentin”, - deklaroi Rrokaj për “GSH”. Sa kaq në prononcimin e tij për mediat, përfaqësuesi ligjor i LSI në KQZ, Ylli Manjani deklaroi në prononcimin e tij për mediat se lista e LSIsë është përfaqësuese, me personalitete të njohur dhe të rinj. “Dorëzova listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit në emër të LSI. Është një listë prej 140 personash e konsultuar prej ditësh në forumet drejtuese të partisë. Eshtë një listë shumë përfaqësuese, shumë simpatike, me të cilën LSI futet në koalicionin e Aleancës për Shqipërinë Europiane me gjithë vullnetin për të ecur më shpejt drejt Europës. Kemi ndërtuar një listë përfaqësuese, kemi shumë të rinj, kemi personalitete gra në listë, ashtu siç ka shumë personalitete të tjera në fusha të ndryshme që përfaqësojnë ekipin e LSI. Sot unë i dorëzova këto emra, mezi pres datën 24 që të vi të marr emrat fitues”- theksoi Manjani.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›