Partia Demokracia e Re organizon konferencë për minoritetin grek të Shqipërisë

Kosta Barka dhe Panos Panajotopulos
Nga Arben Llalla
Partia greke Demokracia e Re më 8 prill organizoi në hotelin DIVANI CARAVEL në Athinë konferencën me temë: VORIO EPIRI, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Në këtë aktivitet folën politikanë dhe deputetë të partisë Demokracia e Re të Andoni Samaras, shefi për politikën e jashtme dhe deputet, Panos Panajotopulos, i cili është një antishqiptar i betuar. Ai gjatë luftës së Kosovës mbështeste regjimin e Millosheviçit duke sulmuar ashpër NATO-n dhe ShBA, deputeti Prokopis Pavlopulos, ish-ministrat dhe deputetët Kostis Haxhidhaqis, Nikitas Kaklamanis, Katerina Papakosta, Manolis Agjelakas. Pra, përfaqësues të lartë të partisë Nea Demokracia duke zbutuar sadopak mungesën e kryetarit të partisë së tyre z.Samaras, i cili kishte premtuar se do të ishte i pranishëm në këtë aktivitet që e organizon partia e tij.
Ndërsa politikanë nga minoriteti grek të Shqipërisë ishte kryetari i partisë MEGA, Kristaq Kiços, i cili njihet për deklaratat ekstremiste në dëm të Shqipërisë, Zisos Lucis, Lefter Prifti, Kristo Argjiris. Ishin edhe dy diplomatët e lartë të ministrisë së punëve të Jashtme të Greqisë, ish-Konsulli i përgjithshëm në Gjirokastër Joanis Çovas dhe ish-Konsulli i përgjithshëm i Konsullatës greke në Korçë, Theodhoros Ikonomu-Kamarinos.
Shefi për sektorin e politikë së jashtme të Demokracisë së Re, deputeti Panos Panajotopulos, në fjalën e tij ndër të tjera tha: Objektivi i DR(NEAD) është mbijetesa e minoritetit grek në tokat dhe shtëpitë e stërgjyshërve të tyre. Shqipëria është e detyruar të zbatojë Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Ne si parti kemi treguar ndjeshmëri të lartë për minoritetin. Me ardhjen në pushtet të Demokracisë së Re, do të ndryshojnë marrëdhëniet e trungut kombëtar me jugun e Shqipërisë, nuk do të bëjmë dallime mes partive dhe organizatave apo individëve kur bëhet fjala për minoritetin, kryetari ynë Andoni Samaras dhe personalisht unë do të jemi më afër grekëve në Jugun e Shqipërisë, ne do tju mbështesim qoftë në Greqi, apo më tokën e atdheut.
Anëtari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, z.Kosta Barkam në fjalën e tij ngriti problemin e përçarjes së minoritetit grek në Shqipërisë. Dy persona shkaktuan incident gjatë fjalimit të z.Barka duke thënë se përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Shqipërisë nuk kanë bërë asgjë për minoritetin, nuk jemi të kënaqur për veprimet e tyre…
Është bërë zakon që në çdo aktivitet që organizohet nga minoriteti grek ti ndërpritet fjala folësit, ti rrëmbehet mikrofoni dhe të ketë zënka me fjalë fyese midis grupeve politike dhe përfaqësuesve të organizatave të tyre.
Më tej kryetari i partisë MEGA, Kristaq Kiços, tha: Disa flasin për bashkimin e minoritetit, por në të vërtetë nuk po themi dhe nuk po bëjmë diçka për bashkimin. Ne jemi këtu me shpresën se Demokracia e Re do të bëj diçka drejtpërdrejtë për të zgjidhur problemet e minoritetit në vendin tonë.
Ish-Konsulli i Përgjithshëm, Theodhor Ikonomu, i cili është i akuzuar nga ministria e Jashtme greke për keqmenaxhimin e Konsullatës greke në Korçë, vuri theksin përsëri në deklaratat e tij për greqizim e Korçës. Ai deklaroi se: Në Korçë ka shumë grekë, por Greqia nuk është afër tyre. Duhet të themelohet një organ kombëtar ku të bashkohen të gjithë grekët e Shqipërisë. Në Kuvendin e Shqipërisë ka 8 grek, por është sikur nuk ka asnjë sepse ata asnjëherë nuk kanë folur për problemet e minoritetit.
Të pranishmëve ju dhuruan falas gazeta e minoritetit grek Laiko Vima.
Në sy ra mungesat e përfaqësuesve të partisë PBDNJ dhe organizatës OMONIA, Vangjel Dule dhe Vasilis Billanos, edhe pse ishin të ftuar zyrtarisht shumë ditë më parë për të mbajtur kumtesë rreth temës së Konferencës.