Shfaqen zjarret në Pogradec, masat për lokalizimin dhe fikjen në kohë të tyre

Kjo pranverë është shoqëruar me një numër të madh zjarresh në bashkinë e Pogradecit, të cilët në shumicën e tyre janë kapur në kohë nga punonjësit e shërbimit zjarrfikës dhe janë eliminuar.
Një zjarr më i madh është evidentuar në ekonominë pyjorë të njësisë administrative Dardhas, aty ku është dashur ndërhyrja e një numri të madh punonjësish si dhe të vetë banorëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe fikjen e tij.
Nëndrejtori i Shërbimit Pyjor në Pogradec Hekuran Hoxha ka bërë të ditur se për të shmangur zjarret në pyje gjatë sezonit veror janë marrë një sërë masash duke krijuar grupet e zjarreve në çdo fshat të cilat drejtohen nga kryetarët e fshatrave.
Të gjithë punonjësit e Shërbimit Zjarrfikës në Pogradec janë të pajisur edhe me bazën e duhur materiale për fikjen e zjarreve, pasi në më të shumtën e rasteve zjarret bien në zona tepër të thella ku është e pamundur të hyjnë mjetet.
/RTSH/