E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfaqja ne TKOB Romeo e Zhuljeta shenon sukses

“Romeo dhe Zhulieta”  shënoi një nga premierat më të mëdha në skenën e Teatrit të Operas. Tragjedia më e famshme e Shekspirit dhe kryevepra muzikore e Prokofiev,  u realizuan në koreografinë e bullgarit Peter Lukanov dhe dirigjimin e Ermir Krantjes. Shfaqja u prit shumë mirë nga publiku. Në natën e premierës në rolet e Romeos dhe Zhulietës interpretuan Gerdi Vaso dhe Enada Hoxha, si dhe trupa e baletit.

"Tashmë jemi duke përjetuar vërtetë emocione të forta sepse falë veprës që ti fal këto emocione dhe falë publikut nga duartrokitjet dhe nga duartrokitjet kuptova që kemi dhënë emocionin e duhur", tha Enada Hoxha, në rolin e Zhulietës.  "Është një balet shumë i vështirë, por i këndshëm për tu kërcyer, ka të bëjë me pasionin me dashurinë, dhe kush është ai që nuk do të dashurojë", tha Gerdi Vaso, në rolin e Romeo. "Jam shumë i kënaqur nga kjo shfaqje, jam gjithashtu tepër i kënaqur edhe nga artistët. Ata bënë gjithcka mundën dhe gjithëcka prisja prej tyre. Publiku e pëlqeu performancën dhe ishte një atmosferë e nxehtë", bëri të ditur Peter Loukanov, koreograf.

Baleti “Romeo dhe  Zhulieta” është një ndër më të mëdhenjtë dhe më të vështirët në repertorin e skenave të botërore. Ngjitja në skenën shqiptare ishte një sfidë si nga ana muzikore, ashtu edhe në koreografi, pasi trupa e balerinëve dhe orkestra e teatrit kanë punuar shumë rrallë vepra kaq të vështira. Beleti “Romeo dhe Zhulieta” do të shfaqet edhe për tre netë në skenën e Teatrit të Operas.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›