Shi në veri dhe zjarre në jug, Italia drejt gjendjes së jashtëzakonshme

Italia po shkon drejt gjendjes së jashtëzakonshme në 5 Rajone, për shkak të stuhisë që goditi Lombardinë dhe zjarreve që po shkrumbojnë vendin fqinj nga Siçilia në Palermo e Katania, deri në Taormina.
Mediat italiane shkruajnë se 6 persona kanë humbur jetën nga moti ekstrem në 24 orët e fundit, dhe për shkak të zjarreve të tmerrshme që ditët e fundit janë aktivizuar në shumë zona janë evakuuar gati 2 mijë banorë.
Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pritet që të merret në mbledhjen e radhës së qeverisë. Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci i cili ka patur kontakte telefonike me guvernatorët e qarqeve të Lombardisë, Sicilisë, Venetos, Emilia Romagna-s dhe Friuli Venezia Giulia-s, do të raportojë nesër në Këshillin e Ministrave për situatën.
Në mbledhjen e nesërme, mund të miratohet një dekret me rregulla për pushime për punëtorët e ndërtimit dhe bujqësisë, sektorët më të ekspozuar ndaj emergjencës së nxehtësisë dhe kushteve atmosferike në përgjithësi.
Ndërkohë, rajonet veriore të Italisë po përballen me rrymat e freskëta nga Evropa Veriore, të cilat kanë sjellë stuhi me shira të rrëmbyeshëm, e madje edhe tornado.
Në Milano, shpejtësia e erës arriti në 110 km në orë, duke shkatërruar çati shtëpish, rrëzuar pemë e bllokuar metro e hekurudha.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/