E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifrat: Berisha thelloi hendekun mes të pasurve e të varfërve

Pasuria është përqendruar në duart e një përqindje të pakët personash. Berisha dhe qeverisja e tij kanë kontribuuar për të rritur këtë hendek duke e bërë Shqipërinë vendin me pabarazinë më të thellë sociale në rajon

Para pak ditësh raportuam se vetëm katër përqind e shqiptarëve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë monetare në këtë vend. Normalisht ky lajm do të shkaktonte tërmet në çdo vend të botës. Këtu kaloi në heshtje. Por shifrat e fundit të Bankës Botërore nxjerrin në pah një të vërtetë të frikshme. Qeveria Berisha ka kontribuar me sa ka mundur për të rritur hendekun mes të varfërve e të pasurve. Edhe ajo rritje ekonomike në vend, ka shkuar në xhepat e pak personave, duke e bërë Shqipërinë vendin më të pabarabartë në rajon sa i përket ndarjes së pasurisë.

Në vitin 2002, të pasurit që zinin 10 për qind të popullsisë përfitonin rreth 22 për qind të gjithë pasurisë kombëtare. Nga ana tjetër, pjesa e pasurisë që zotërohet nga të varfërit që sot janë sa 10 për qind e popullsisë, jo vetëm nuk është rritur, por ka rënë nga 3.9 për qind në vitin 2002, në 3.5 për qind në 2008.

Por që nga ajo kohë, pjesa që kjo shtresë e pasur zotëron është rritur, madje me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të Bankës, i njëjti grup të pasurish në Shqipëri zotëronte në fund të vitit 2008 plot 29 për qind të totalit të të ardhurave kombëtare.

Kjo do të thotë se në çdo 100 lekë pasuri kombëtare, 29 lekë zotërohen nga vetëm 10 për qind e popullsisë. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2008 Shqipëria ishte ndër vendet me pabarazinë më të thellë në rajon. Arsyet janë disa dhe njëra prej tyre mund të jetë edhe taksa e sheshtë. Kur sheh kandidatin demokrat, Lulzim Basha, që del e flet për punësimin, për çmimet e varfërinë, e kupton hipokrizinë e kësaj qeverisje. Pyetja më e parë që i duhet bërë është se çfarë ka bërë ai për punësimin kur kishte më shumë mundësi, kur ishte ministër? Tani e kuptojmë që ai e Berisha e kanë një kontribut, atë të pasurimit të 10 përqind të shqiptarëve. Mes tyre është edhe Basha e familja kryeministrore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›