Pekini njëlloj si SHBA-ja Ndihmë për të luftuar obezitetin
Tridhjetë vjet më vonë, ndërsa Perëndimi po kërkon dëshpërimisht të luftojë njëherë e përgjithmonë këtë fenomen, edhe Kina ka hyrë në epokën e obezitetit. Kjo për vendin është një tronditje e vërtetë, i cili më pak se gjysmëshekulli më parë mbijetoi nga zia e bukës dhe uria e masës, që në kohën e Mao Ce Dunit vrau 30 milionë njerëz. Por rritja e madhe ekonomike dhe përqendrimi në metropole, përfaqësojnë sot llogarinë e pamëshirshme të mirëqenies. Alarmi i mjekëve dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u jep kinezëve mirëseardhjen në klubin e të sëmurëve të industrializuar dhe paraqet një komb më të shëndoshë dhe më të sëmurë se vetë SHBA-ja apo Europa. Shifrat janë vërtet alarmante duke marrë parasysh faktin se kinezët, ashtu si të gjithë aziatikët gjithmonë kanë qenë të dobët, madje shumë të dobët. Diabeti, obeziteti dhe sëmundjet kardiovaskulare të shkaktuara nga konsumi i madh i ushqimeve jo të shëndetshme, më parë ishin sëmundje krejtësisht të panjohura, shumë ndryshe nga Perëndimi ku bënin kërdinë. Studimet e fundit na befasojnë duke na treguar se Kina, mes shumë rekordeve të tjera që mban po arrin të fitojë edh atë të njerëzve më të shëndoshë dhe pasoja që rrjedhin prej tij. Efekti “fast-food supermarket-televizion-internet” sipas qeverisë po e transformon popullsisë duke përgatitur dhe bombën shëndetësore të planetit. Deri në vitet ‘80 askush nuk përdorte në vend karroca për të bërë pazarin apo të konsumonte hamburger dhe patatina kaq shumë sa sot. Një popull që jetonte kryesisht në fshat, konsumonte produktet e kultivuara vetë dhe ecte në këmbë apo me biçikleta. Atëherë vetëm 2 për qind e popullsisë kineze interesohej për mbiushqyerjen. Shifrat e qyteteve të mëdha certifikojnë shpejtësinë e paprecedentë të emergjencës shëndetësore dhe ekonomike të lidhur me shëndetin. Kështu, Kina ka kaluar Indinë dhe është pozicionuar në vendin e parë për numrin e obezëve, të sëmurë me diabet dhe zemër. Në vitin 2004, kinezët obezë ishin 60 milionë, ndërsa numri i atyre në mbipeshë ishte 200 milionë. Në vitin 2009, shifra shkoi në 100 milionë obezë dhe 310 milionë në mbipeshë. Një e treta e popullsisë është e prekur nga dhjamosja, kundrejt 8 për qind në SHBA dhe 4.4 për qind të mesatares globale. Sipas kërkuesve të “Tulane University” diabeti i tipit 2 është tashmë në nivelet e epidemisë. Prej tij janë prekur 92.4 milionë persona, ndërsa 148.5 kanë para diabet dhe 250 milionë vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare si pasojë e ushqyerjes së keqe. Ministria e Shëndetësisë ka llogaritur se problemi përfshin 23.6 për qind të shpenzimeve shëndetësore. OBSH shpjegon se pesha e tepërt, në pesë vitet e ardhshme do t’i kushtojë Kinës thuajse 600 miliardë dollarë. Fëmijët dhe adoleshentët janë më të prekurit. 13 për qind e kinezëve nga dhjetë në 12 vjeç është obeze, 19 për qind janë në mbipeshë, kundrejt 18.8 për qind të bashkëmoshatarëve të tyre amerikanë. Në Pekin dhe Shangai, fëmijët 6 vjeç peshojnë mesatarisht 22.4 kilogramë kundrejt 17.8 për qind në vitin 1970. “Jemi përtej tendencës së çdo vendi tjetër të zhvilluar. Shpejtësia e rritjes së numrit të prekur nga shëndeti i tepërt nuk ka precedentë në histori”, thotë Yang Qing, kërkues i Universitetit të Pekinit. Askush nuk e kishte parashikuar një fat të tillë dhe shkencëtarët e drejtojnë gishtin kundër zhvillimit të pandalshëm ekonomik, mungesës së aktivitetit fizik dhe ushqimeve të pashëndetshme. Por, kërkuesit rreshtojnë mes shkaqeve edhe ndotjen e madhe dhe shumë helme ambientale. Në urinën e të sëmurëve me diabet janë gjetur përqendrime bisfenoli, një helm që gjendet te produktet plastike. Në zonat rurale, obezët dhe diabetikët janë 45 për qind më pak se në zonat urbane ku përqendrohet rreth 55 për qind e popullsisë. “Brenda dhjetë vjetëve, në tavolinat e kinezëve nuk mungojnë pijet e gazuara llojet e ndryshme të mishrave, ëmbëlsirat dhe ushqimet e konservuara. Organizmi ynë ishte mësuar t’i merrte vetëm pak herë në vit. Në dimër konsumohej oriz, në verë lakra. Puna fizike ka rënë duke ia lë hapësirën e lirë, internetit, televizionit dhe makinës. Po mundohemi t’i drejtojmë apele shoqërisë kundër fast-food-ve. Ata që bëjnë gjimnastikë sipas traditës janë vetëm pleqtë”, thotë Ji Chengye, përgjegjës i qendrës shtetërore për ushqimin. 400 milionë kinezë nën moshën 20 vjeç nuk bëjnë më shumë se një orë ushtrime fizike në javë. Shumë mendojnë se vendi është duke humbur forcat. Megjithatë, ankthi i autoriteteve është një tjetër: kanë nisur të frikësohen se Kina, pasi luftoi urinë do të vdesë nga dhjamosja.
Fenomeni i frikshëmPas shumë studimesh, një pjesë e madhe e mjekëve kanë dalë në përfundimin se sasia e madhe e sheqerit, yndyrat dhe kripa të bëjnë që të hash gjithnjë e më tepër. Kjo është një përzierje “vrastare” që ka shkaktuar shumë viktima dhe pikërisht këtë përzierje e kanë përdorur edhe dyqanet e fast-food-eve. Ato stimulojnë neuronet, qeliza që ndikojnë në tru dhe bëjnë që të prodhohet me shumicë dopaminë, një kimikat që motivon sjelljen tonë dhe na bën që të hamë gjithnjë e më shumë. Kur konsumojnë ushqime të tilla, shumë prej nesh ndiejnë kënaqësi të madhe dhe përmbushje në shije. Kjo për shkak të arritjes së një kombinimi optimal të tre përbërësve të sipërpërmendur, që e bëjnë një produkt të parezistueshëm dhe ndjellës. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit kemi qenë të gjithë të ekspozuar me shumicë ndaj ushqimeve të tilla, që i kanë pasur në përmbajtjen e tyre edhe kripën, edhe yndyrën, edhe sheqerin. Bëhet fjalë për ushqime që jo vetëm kanë një shije të mirë, por që kanë edhe një aftësi të veçantë për të stimuluar oreksin. Në qendër të gjithë kësaj situate janë restorantet që kanë servirur pafund pjata dhe ushqimet që i kanë pasur në ekuilibra perfektë tre komponentët. Një nga shembujt më klasikë të këtyre lloj ushqimeve janë patatet e skuqura, të shoqëruara me djathë dhe salca të ndryshme.
#