Shifrat, vuajnë nga anemia 30 për qind e fëmijëve dhe grave
Plot 30% e fëmijëve dhe grave shqiptare vuajnë nga anemia për shkak të mungesës së hekurit në gjak. Statistikat i bën me dije Instituti i Shëndetit Publik. Qytetet më të prekura kanë rezultuar të jenë Tirana, Shkodra dhe Kukësi, ku rreth 50% e grave rezultuan anemike, me deficit të lartë të hekurit në gjak. Sipas studimit, është vënë re një nënushqyerje në kategorinë e grave shtatzëna, foshnjave dhe fëmijëve, si dhe konsumim të ushqimeve pa vitaminat e domosdoshme për trupin. Sipas specialistëve, në disa raste anemia te fëmijët është vdekjeprurëse, nëse nuk kapet dhe kurohet në kohë. Mjekët sqarojnë shenjat e anemisë dhe ushqimet që duhet të konsumohen për të pasuruar organizmin me hekur. Krahasuar me vendet e rajonit, shifrat e prekjes nga anemia në Shqipëri janë katër apo pesë herë më të larta. Anemia është një ndër çrregullimet më shpeshta të gjakut, që rezulton nga pakësimi, rënia e numrit të rruazave të kuqe të gjakut në organizmin e njeriut. Ky lloj çrregullimi mund të sjellë probleme të pariparueshme shëndetësore si rezultat i uljes së nivelit të hemoglobinës në rruazat e kuqe, e cila është një ndër komponentët përbërës më të rëndësishëm të rruazave të kuqe të gjakut, që bën transportimin e oksigjenit në të gjitha indet e organizmit.
Shkaqet
Komplikacionet e shkaktuara janë të shumëllojshme. Shkaktarët e anemisë janë të shumtë, por ndër më të rëndësishmit mund të veçohen: shkatërrimi i tejskajshëm i rruazave të kuqe, humbja e gjakut si pasojë e shumë faktorëve, prodhimi dhe rigjenerimi i pamjaftueshëm i rruazave të kuqe të gjakut.