E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shihen në New York

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic do të shihen të martën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB’së. Kryeministri i Kosovës ka udhëtuar për New York pasi ka marrë vesh se Serbia do të paraqitet në nivel të kryeministrit. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, pritet të diskutohet raporti i fundit i Sekretarit Ban Ki-Moon.

Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi ka vendosur të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që mbahet të martën dhe që diskutohet për Kosovën.

Në seancë, pritet të shqyrtohet raporti periodik për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon.

Zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se pjesëmarrja e Thaçit në OKB ka ndodhur për shkak të Serbisë, pasi kjo e fundit do të prezantohet në nivelin kryeministror.

Në këtë mbledhje, pritet të marrë pjesë edhe Shefi i Qeverisë serbe, Ivica Dacic.

Ndërkohë, bëhet e ditur se do të marrë pjesë edhe shefi i ri i diplomacisë së Beogradit, Ivan Merkic, kurse nga pala kosovare, aty do të jetë edhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

“Deri në çastin e fundit, është paraparë që në New York të udhëtojë Ministri Hoxhaj, por për shkak se Serbia po përfaqësohet në këtë mbledhje nga kryeministri i saj, atëherë edhe Kosova ka vendosur që të ketë të njëjtin nivel përfaqësimi”, ka thënë Këshilltari i Kryeministrit, Bekim Çollaku, KTV’së.

Raporti i Sekretarit Ban u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë më konstruktivë në tejkalimin e dallimeve dhe të zbatojnë në jetë marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së , Ban Ki-moon, ka bërë vërejtje për mungesë uniteti brenda bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Kosovën.

Kështu thuhet në raportin e tij të përgatitur për mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit, kushtuar Kosovës, që do të mbahet më 21 gusht, njoftojnë mediet e Beogradit.

Sekretari Ban Ki- moon ka adresuar kritika serioze ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me raportet e Kosovës dhe Serbisë, thuhet në raport.

Vërejtja më serioze bëhet, siç thuhet në raport, për shkak të mungesë së një konsensusi të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ky fakt, sipas raportit, vështirëson shumë arritjen e kompromiseve të domosdoshme mes palëve në procesin e zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë, citohet Ban Ki -moon.

Ban ka bërë vërejtje edhe për politikat për kthimin e minoriteteve në Kosovë.

Në raport, citohen të dhënat e Komisariatit të Lartë për Refugjatë, sipas të cilave, në tre muajt e fundit në Kosovë janë kthyer vetëm 131 persona, mes tyre 45 serbë, pesë romë, 36 ashkalinj dhe egjiptianë, 27 goranë, 12 boshnjakë dhe dy shqiptarë, që është përgjysmë më pak se vitin e kaluar. Si arsye përmenden incidentet që kanë ndodhur në Kosovë, si ai në Talinoc të Ferizajt, ku janë vrarë dy serbë si dhe kërcënimet që kanë marrë banorë serbë të kthyer në disa fshatra të komunës së Klinës.

Por, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi ka deklaruar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së, Ban Ki-moon është “dezinformuar” për gjendjen në Kosovë.

“Raportin e kanë hartuar strukturat e UNMIK’ut në Kosovë. Asgjë më e mirë as që është pritur, sepse ata janë pak të hidhëruar për zvogëlimin e fondeve për zyrën e tyre. Unë nuk mund ta kritikoj Ban Ki-moonin, sepse ai e ka lexuar atë raport, që ka ardhur nga UNMIK’u, e cili është përplot dezinformata”, i ka thënë ministri Rexhepi, pas publikimit të raportit.

Mediat serbe kanë raportuar se në raportin e radhës për gjendjen në Kosovë, "Ban Ki-moon e ka kritikuar ashpër punën e Policisë së Kosovës në tre muajt e kaluar, duke vënë në pah incidentet që kanë ndodhur gjatë festës serbe të Vidovdanit të mbajtur në Kosovë" , transmeton REL.

Ndryshe, mediat kanë raportuar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pritet që Rusia të akuzojë Kosovën se është përzier në çështjet të brendshme të Libisë dhe Sirisë, siç thuhet aty, për gjoja trajnimin e rebelëve opozitarë nga këto dy vende.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›