Shijak, burri denoncon të shoqen

Drejtoria e Policisë së Durrësit
Pas 3 femrave të masakruara, një burri i lëshohet urdhër-mbrojtje nga komisariati.
Dëshmia e 61-vjeçarit: Më dhunon sistematikisht.
Pas tri femrave të dhunuara, dy prej të cilave iu mor jeta, një burrë akuzon të shoqen për keqtrajtim fizik dhe psikologjik. Dje në regjistrin e Policisë së Durrësit është shtuar një tjetër denoncim. Një i moshuar nga Shijaku ka kërkuar mbrojtje nga policia, pasi sipas tij, bashkëshortja ushtron dhunë fizike dhe psikologjike sistematikisht mbi të. Nga ana e saj policia ka plotësuar kërkesë-padinë dhe pasi ka vlerësuar rastin në fjalë, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për të moshuarin. Duke qenë se çifti nuk është i divorcuar dhe jeton në të njëjtën çati, policia ka vendosur disa kushte për të moshuarit, të cilat, nëse nuk i respektojnë, do të përballen me forcën e ligjit. Kështu, Policia bëri të ditur se më datë 22.10.2012 u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin Sh. D., 61 vjeç, banues në Shijak. Ky shtetas pretendon se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshortja e tij, shtetasja M. D., 57 vjeçe. Materialet iu përcollën Gjykatës së Rrethit Durrës për vlerësim”. Çifti jeton vetëm, pasi fëmijët punojnë dhe jetojnë në Itali. Kohët e fundit ka një shtim të numrit të meshkujve të cilët denoncojnë dhunën që shkaktohet mbi ta nga të afërm apo edhe nga persona të tjerë jashtë rrethit miqësor. Dhjetëra burra të moshave të ndryshme, kryesisht mbi të pesëdhjetat, në Durrës e në rrethinat e këtij qyteti, kanë kërkuar mbrojtjen e policisë pasi kanë pretenduar se janë keqtrajtuar nga bashkëshortet apo persona të tjerë të familjes dhe jashtë saj. Thuajse çdo ditë mbërrin në polici një femër, kohët e fundit edhe burrë, për të bërë kallëzim e për të kërkuar mbrojtje, ndërsa në rastet e nisjes së hetimeve personat e dhunuar janë bërë edhe objekt i kontrollit fizik nga mjekët ligjorë për të konstatuar shenjat e dhunës. Ligji 9669, datë 18.12.2006, i detyron organet e shtetit të marrin në mbrojtje çdo person të kërcënuar, ndërkohë që policia, në rastet të tilla, mjaftohet vetëm me faktin e njoftimit të dhunuesit, të cilit i bëhet e ditur se paditësi që mund të jetë gruaja, vajza, nëna, burri apo prindi, janë marrë në mbrojtje nga shteti. Burime zyrtare thonë se nga viti në vit janë rritur shifrat e denoncimeve, por rritje në shifra ka shënuar edhe krimi në familje. Policia ka vënë në dispozicion të mbrojtjes nga dhuna e denigrimi të femrave dy numra telefoni, ndërkohë që burime brenda saj konfirmojnë se shumë nga femrat e dhunuara nuk arrijnë deri në dyert e policisë.
Dhuna ekstreme në familje
Nuk është mbushur java nga dita kur Lime Dedej, 42 vjeçe, u masakrua me çekiç kokës nga i shoqi, Bujar Dedej, 49 vjeç. Ky i fundit, edhe pse ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve, para hetuesve ka deklaruar se gruaja e meritonte. Ndërsa të dielën, në qytetin e Krujës u qëllua me sëpatë 21-vjeçarja F. Zogu nga i shoqi i saj, Bashkim Zogu, 34 vjeç. Dhe në këtë rast, sipas Policisë, shkaku i plagosjes së rëndë ishte xhelozia.
SHIJAK/ LEONIDHA MUSAJ