E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shisnin kokainë me automjet luksoz – Prangosen dy të rinj, dozat i tregtonin në Kombinat, Selitë dhe Tiranë të Re

Dy të rinj, të cilët prej kohësh shpërndanin lëndë narkotike kokainë, u vunë në pranga nga Policia e Tiranës.

Ata, lëviznin me një automjet luksoz në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Kombinat, Tiranë të Re dhe Selitë. Në automjetin e tyre u gjet dhe sekuestrua një çantë kartoni me drogë, rreth 1 kg e 234 g lëndë narkotike kokainë, e cila ishte e vendosur në sediljen e pasagjerit. Dyshohet se ajo u shpërndahej shtetasve të tjerë në doza më të vogla.

Efektivët e antidrogës kishin tri muaj që kishin rënë në gjurmët e aktivitetit të të rinjve përmes operacionit të koduar “Furnitorët”, në vazhdën e aksioneve të Policisë së Tiranës kundër shitjes në doza/sasi të lëndëve narkotike.

Të rinjtë u kapën në flagrancë, teksa lëviznin me automjet, në aksin rrugor “Ura e Beshirit – Pezë”, ndërsa lënda narkotike u sekuestrua së bashku me automjetin dhe dy celularët e të arrestuarve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›