E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitblerjet e politikës zyrtare të Kosovës

Boiken Abazi/ Koordinator i Sekretariateve në Lëvizjen “VETËVENDOSJE”

-Kësaj jave në Kosovë, Kryeministri Thaçi, i cilësoi ata pak qytetarë që prishën disa varreza serbe si “qyqarë”. Këto akte zemërimi për Thaçin janë kënga e qyqes, dhe ata të paktë që i bën ato, janë qyqja vetë, qyqarët. Thaçi, me ose pa vetëdije, e ka zgjedhur qyqen, këngën e secilës e ka lidhur me jetëgjatësinë e pushtetit të tij. Në fakt akte si shkatërrimi i gurëve të disa varrezave jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për bashkëkombësit tanë që jetojnë të shtypur në Luginën e Preshevës, por ato edhe i zgjasin jetën Qeverisë Thaçi. Nëpërmjet këtyre akteve ata ndërkombëtarë që sundojnë mbi Kosovën gjejnë justifikime për pushtetin e tyre antidemokratik mbi popullin tonë. Dhe për më shumë, për ta ruajtur sa më mirë këtë pushtet këta ndërkombëtarë dalin në përkrahje të politikanëve që nënshtrohen deri në mohimin e të drejtës së popullit tonë për liri. Këta politikanë janë njerëz si Thaçi, të cilët për hir të pushtetit shkojnë në negociata për veriun dhe komunat me shumicë serbe në Kosovë, sikur këto të ishin çështje të jashtme për Republikën e Kosovës. Ndërkohë që nuk vendosin asnjë kusht për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e trajtuar atë sikur të ishte çështje e brendshme për Serbinë. Dhe kështu, qeveria e Kosovës e çon vendin gjithnjë e më shumë drejt zhbërjes së sovranitetit, duke e bërë të paaftë për të kontrolluar territorin e vet, e aq më pak të aftë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve nën regjimin e Serbisë. Pasi ka bërë gjithë këtë, me pafytyrësinë më të madhe, në intervistën e dhënë të mërkurën për një të përditshme në Prishtinë, Thaçi i kërkon llogari shqiptarëve të Luginës duke thënë se “Qoftë edhe një qytetar i vetëm, e lërë më liderët politikë të Luginës së Preshevës nuk u shfaqën te monumenti për të bërë përpjekjen më të vogël për ta mbrojtur atë.” Në këtë intervistë ai shkon deri aty sa bën paralelizma mes rezistencës së serbëve ne veri dhe rezistencës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke thënë se arsyeja pse EULEX-i dhe NATO nuk po ndërhyjnë në veri është rezistenca qytetare e serbëve që jetojnë aty. Jo kryeministër nuk është kjo arsyeja, dhe boll e mashtrove këtë popull! As EULEX-i as NATO nuk e njohin pavarësinë dhe janë neutral ndaj statusit të Kosovës. Madje këto dy struktura janë mbi ligjet e Republikës së Kosovës. Të braktisur me kohë nga Qeveria e Kosovës që nuk ka dhënë asnjë kontribut financiar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Thaçi merr guximin t’i mbajë ata si përgjegjës për mungesën e vullnetit për të mbrojtur kujtimin e dëshmorëve të rënë në luftë. Shqiptarët sot po artikulohen si qenie thelbësisht politike, duke mos ia lënë në dorë politikën qeveritarëve të verbuar nga pushteti, po mobilizohen për të treguar se nuk dinë të nënshtrohen dhe janë të gatshëm të solidarizohen me të gjithë ata që janë ende të shtypur nën regjimin e pasardhësve të Milosheviçit. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›