E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pseudopatriotët e politikës që flasin për çdo gjë

Enxhi Kastrioti/maturante 

Të nderuar politikanë! Vendosa të shkruaj këtë letër mes dyshimesh e mëdyshjes. Me një pasiguri që nuk vinte as nga mosbesimi as nga paqartësia, por thjesht  dhe vetëm nga dilema në meritoni t’iu kushtojmë vëmendje e pjesë nga koha jonë. Po ju shkruaj kështu publikisht në mënyrë të përgjithësuar jo nga harresa apo pamundësia për t’iu shkruar të gjithëve njëkohësisht, por se jeni aq të ngjashëm me njëri-tjetrin  sa që konceptualisht nuk ju shquaj dot. Dhe kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar; mjafton t iu dëgjosh tek flisni e premtoni, tek thërrisni, shani e fyeni njëri- tjetrin. Jeni krejtësisht identikë. Por me këto si mund të thuash në 20 vjet u mësuam, madje tani kemi arritur në një gjendje të pakuptimtë psikologjike sa që të gjitha që ju bëni na duken krejt normale. Pavarësisht se kërkoni të na mashtroni, madje edhe të na blini, sigurisht me ndonjë thes miell, disa shishe vaj apo disa kilogramë oriz, duke përfituar nga gjendja jonë e vështirë ekonomike, për të cilën ju mbani peshën parësore, ne sërish shkojmë e u votojmë, ndonëse na duhet të shkelim mbi parimet dhe dinjitetin tonë. Tashmë në episodin politik të radhës, me shikueshmëri maksimale, zgjedhjet, kini dalë me platforma të reja. Keni veshur petkun e patriotit dhe përpiqeni të luani rolin e tij, sa besa, vështirë se u gjen të meta në interpretim. Flisni për bashkim kombëtar, apo Rilindje Kombëtare. Por kësaj radhe me shumë bindje po ju them që nuk do të mundni  të gënjeni popullin shqiptar, sepse edhe ai është bërë dhelparak, me dredhitë që ju i mësuat, me shfaqjet e interpretimet tuaja të herëpashershme. Nuk u beson sot shqiptari se ju na qenkeni patriotë, se në mendimet dhe ëndrrat tuaja është vetëm Shqipëria, që ju doni më të mirën për të. Sepse të jesh një patriot i vërtetë e të duash vendin tënd, fillimisht duhet ta respektosh atë dhe bashkëkombësit e tu. Të jesh patriot mbi të gjitha do të thotë të jesh një qytetar i mirë, të respektosh ligjet e rregullat, por që ju, për çudi edhe pse i miratoni e nënshkruani vetë, jeni të parët që si  zbatoni. Premtoni rritje ekonomike, por përfundoni duke mbushur xhepat tuaj dhe të familjarëve tuaj nga përfitimet e pasurive publike të shqiptarëve. Edhe pse premtoni Rilindje Kombëtare, me bëmat tuaja po e vdisni çdo ditë e më shumë Shqipërinë, duke e shndërruar në një vend që është mishërim i së keqes, korrupsionit, kriminalitetit mbizotërues. Premtoni bashkim kombëtar megjithëse asnjëherë të vetme nuk kini mbrojtur apo vepruar në favor të shqiptarëve në trevat e etnike të tyre. Nuk i kini përkrahur, i kini lënë në mëshirë të fatit, edhe pse ata janë më të paragjykuarit, të dhunuar psikologjikisht e fizikisht, të shtypur sa u mohohet çdo e drejtë kombësie. Nuk kini hapur shkolla shqipe për ta, ashtu siç bëjnë grekët në Shqipërinë tonë. Nuk u kini dhënë një përkrahje qoftë edhe morale këto 20 vjet,  e tashmë porsa nuhatët nervin patriotik te shqiptarët, në këtë kohë zgjedhjesh u hodhët në sulm për ta përvetësuar dhe shndërruar në një “ideologji votëdhënëse”, sepse në mendje dhe në sytë tuaj ekzistojnë vetëm vota të barasvlershme me karrige parlamenti apo poste ministrie. Asgjë më shumë. Prandaj ju politikanë pseudopatriotë, më lejoni t’ju  jap një këshillë fare të vogël, që më vonë historia mos t’ju ndëshkojë:  ju lutem ndërroni  rrugë e zgjidhni një mënyrë politikëbërje frytdhënëse për të gjithë, ose më mirë largohuni nga skena fare! Lëruni vendin të rinjve dhe ideve të reja, që me shumë siguri do të jenë me funksionale dhe më të dobishme sesa kjo politika juaj e sherrit dhe e shamatës, pasi në këtë mënyrë i bëni fillimisht një nder vetes tuaj dhe mbi të gjitha Shqipërisë sonë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›