Shiten 2 milionë bileta, për Botëror

Dy milionë bileta janë shitur, për ndeshjet e Kampionatit Botëror 2010, i cili do të mbahet në Afrikën e Jugut. Këtë lajm e ka bërë të ditur të mërkurën Federata Botërore e Futbollit (FIFA), në uebfaqen e vet zyrtare.
Po ashtu, FIFA informon se në dispozicion për kompeticionin më të rëndësishëm në botë, janë vënë 3 milionë bileta, që i bie se 2/3 e biletave janë shitur, për rreth 60 ndeshje sa do të zhvillohen në verën që po vjen.
Sipas Shtëpisë së Futbollit Botëror, në fazën e tretë të shitjeve, e cila ka përfunduar me 22 janar, kanë arritur 1.2 milionë kërkesa nga 192 vende të ndryshme. Një fakt interesant dhe i mirë është se 950 mijë kërkesa për blerjen e biletave kanë arritur pikërisht nga Afrika e Jugut.
Presidenti i Komitetit Organizator i Afrikës 2010, Danny Jordaan, ndihet mjaft i kënaqur, pasi që në të kaluarën parashihej se në stadiume do të kishte shumë vende të zbrazëta, në ndeshjet kur do të luajë vendësi, Afrika.
Afrikanët kanë shprehur interesim të madh të blerjes së biletave, në këtë fazë. Ata kanë blerë 79 për qind të biletave, total 958,381 sosh. Në fazën e tretë, futbolldashësit nga SHBA-të kanë bërë 50,217 aplikime për bileta, duke u ndjekur nga Britania e Madhe (41,529), Australia (15,523), Meksika (14,804), Gjermania (14,647) dhe Brazili (10,767).
Për 6 ndeshje, përfshirë këtu gjysmëfinalen dhe finalen, gjithçka është bërë gati. Faza e katërt e shitjes së biletave do të hapet me 9 shkurt, derisa do të mbyllet me 7 prill.
Gjatë këtyre 58 ditëve, 400 mijë bileta do të shiten në uebfaqen fifa.com/2010. Nga 15 prilli e tutje, do të hapen qendrat për shitjen e biletave në disa qytete të Afrikës së Jugut, ku fansat do të mund t’i blejnë biletat dhe do të mund t’i marrin biletat e blera përmes internetit.