Ndeshjet më të vështira

Arsene Wenger ka thënë se Arsenalin e presin ndeshjet më të forta të sezonit. “Gunners” kanë udhëtuar të mërkurën mbrëma drejt Aston Villa, ndërsa në tri përballjet e radhës do të kenë punë me klubet e fuqishme, Manchester United, Liverpool e Chelsea, të cilat mund të sqarojnë shumë gjëra rreth titullit të kampionit në Premierligë.
Menaxheri Wenger insiston se këto përballje do ta qartësojnë nëse Arsenal do të kalojë në vendin e parë, apo jo. “Nuk kam hasur asnjëherë t’i kem përpara disa ndeshje rresht, domethënëse si këto. Nëse i fitojmë këto ndeshje, do të ishim në një pozitë të mirë, natyrisht”, tha trajneri francez për tabloidin Sun.
Arsenal e kishte fituar lojën e rëndësishme kundër Liverpool, me rezultat 2:1 në Liverpool, nga mesi i dhjetorit. Ndërsa, klubi londinez e kishte mposhtur edhe Aston Villan në shtëpi, 3:0.
“Para Liverpool, ne nuk i fitonim ndeshjet e mëdha. Ne nuk fituam kundër Chelseas në shtëpi, e as ndaj Manchester City apo Manchester United. Edhe pse ndienim se duhej t’i fitonim, ne nuk ia patëm arritur. Por, e bëmë këtë në Liverpool, e mposhtëm Villan, kjo do të thotë se na u kthye mentaliteti fitues. Unë besoj se janë disa momente gjatë sezonit kur arrin fitore vendimtare. Ato janë të rëndësishme për t’ia shtuar besimin ekipit”, vazhdoi Wenger.
Nicklas Bendtner dhe Samir Nasri është rikthyer pas lëndimeve, por ata qëndruan në bankën rezervë, të mërkurën. Wenger ka kërkuar që ekipi i tij t’u rikthehet fitoreve. Arsenal ka pësuar humbje të dielën që shkoi në kuadër të FA Cup (Kupa e Anglisë) nga Stoke City me rezultat 3:1.