E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Prishtinë deri në verë

Agron Skeraj do të luajë për Prishtinën, deri në verë. Mesfushori kosovar është provuar tek klubi gjerman, FSV Frankfurt, ku ka lënë përshtypje të mira.

Mirëpo, për shkak se klubi nga Bundesliga 2 gjermane ka shumë futbollistë, për mesfushorin e krahut nuk kishte vend tash. Trajneri dhe kryesia e këtij klubi janë ndarë të kënaqur me cilësitë e prizrenasit, të cilin mendojnë ta bëjnë të vetin në qershor.

“Unë bëra katër stërvitje, gjatë dy ditëve sa qëndrova aty. Trajneri e pëlqeu lojën time, mbi të gjitha formën fizike, pasi isha i përgatitur mirë. Madje, ai deshi ta largonte njërin nga 5 futbollistët nga të cilët nuk llogarit në pranverë, për të ma bërë një vend mua, por ata nuk pranuan të largoheshin pa dëmshpërblim. Kështu që, edhe pse unë dhe menaxheri im e prisnim kontratën, kjo duket se do të ndodhë më vonë”, shpjegoi Skeraj, për Express.

Ai do ta kalojë edhe sezonin pranveror në Kosovë, por vëmendja e tij mbetet në Gjermani. “Ne u morëm vesh që, nëse Frankfurt nuk bie në ligë të tretë, unë të nënshkruajë me këtë klub gjatë verës”, vazhdoi ish-futbollisti i Lirisë.

Mund të rikthehet edhe Kaçiu

Përpos Skerajt, edhe mesfushori tjetër kosovar, Bardhyl Kaçiu, pritet të luajë në kampionatin kosovar, gjatë pranverës. Futbollisti i Trepçës është provuar tek Alemannia Aachen, por në fund hasi në një problem, që bëri të dështonte gjithçka.

“Po ishte një problem i vogël. Unë luajta një pjesëlojë, por kur kanë biseduar zyrtarët e Aachen me menaxherin tim, e kanë kuptuar se unë kam kontratë me Trepçën dhe se duhet të paguajnë dëmshpërblim, kështu që u tërhoqën. Unë kam ardhur në një periudhë kohore të keqe këtu, ngase ekipet i kanë përfunduar përgatitjet dhe janë kompletuar tashmë”, tha Kaçiu.

Ish-futbollisti i Prishtinës nuk e ka përjashtuar mundësinë që këto ditë, të provohet tek klubi tjetër gjerman, Karlsruher. Në të kundërtën, ai do të kthehet tek Trepça, me të cilën ka kontratë, për të luajtur deri në verë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›