Shiu përmbyt Tiranën, hipotekën dhe sheshin Skënderbej, Luli e ka mendjen të negociojë për presidentin
(E PERDITESUAR)- Tirana është përmbytur orët e para të mëngjesit për shkak të shiut të rrëmbyer. Përveç zonave të njohura për përmbytjet e tyre si rruga “Don Bosko”, listës së shesheve që përmbyten i është shtuar edhe sheshi “Skenderbej”, ku kanalizimet nuk kanë funksionuar. Shiu ka hyrë dhe në zyrat e hipotekës, duke dëmtuar dokumentet. Shkak janë bërë edhe punimet që po bëhen pranë hipotekës.
Dita ka nisur e vështirë për të gjithë qytetarët, të cilët përveç ujit në rrugë e banesa, janë përballur edhe me një trafik kaotik. Fati e ka ndihmuar deri më tani Bashkinë e Tiranës pasi trafiku është lehtësuar ndjeshëm për shkak të çmimeve të karburantit. Por një ditë si e sotmja nxori në pah tmerrin që do ndodhte në Tiranë nëse të gjithë do dilnim me makina. Shumë semaforë kanë dalë jashtë funksionit sot. Bashkia nuk dukej gjëkundi, edhe pse në mediat pranë saj përpiqej të tregonte se po punonte për kanalizimet.
Por duket se Lulzim Basha, që u zotua një vit më parë kur mori detyrën se do punojë për qytetarët dhe do e lërë politikën mënjanë, është zhytur kokë e këmbë në lojën për presidentin. Siç raporton e përditshmja Shqip, Basha është përfshirë në negociatat për presidentin. Nuk dihet roli i tij në këto negociata, por me shumë gjasë ai po lobon kundër emrit të Jozefina Topallit. Së bashku me Metën ai ka arritur të kushtëzojë moskandidimin e Topallit deri më tani.
Pas një viti në detyrë, Basha u ka sjellë qytetarëve vetëm makete dhe tregtarëve taksa të dyfishuara.