Shkarkimi i kreut të SHISH, Rama: Turp!, FRD:Berisha po uzurpon institucionet kushtetuese
Shkarkimi nga detyra i kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, Bahri Shaqiri dhe zëvendësimi i tij me Visho Likën, është komentuar nga Kryesocialisti Edi Rama si një dhunim i pavarësisë së SHISH, ndërsa Likën e ka cilësuar shërbëtor të Berishës.
Për llogari të Kryeministrit, Presidenti zëvendësoi Drejtorin e Shërbimit Sekret me një shërbëtor të Saliut njësoj siç është dhe vetë. Çfarë turpi! Turp sepse rrënoi pavarësinë e SHISH; sepse e bëri këtë pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë;sepse ktheu kohën pas!, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.
Kreu i opozitës ka thënë më tej se dekretimi i propozimit të Berishës, tregon se Nishani është nën varësinë e plotë të Berishës. Ky vendim i Presidentit është akti më ekzemplar i varësisë së tij nga Kryeministri e do të sjellë pasoja negative për jetën politike e institucionale, shkruan më tej Rama.
Ndërkohë Fryma e Re Demokratike e ka cilësuar vendimin më të fundit për shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, si uzurpim të institucioneve dhe se vendi po shkon drejt modelit Lukashenko.
“Kryeministri Berisha po uzurpon të gjitha institucionet kushtetutese. Shqipëria po i largohet BE-se dhe standardeve të NATO-s dhe po shkon drejt modelit ‘Lukashenko’. Këmbanat e alarmit po bien për qytetarët shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e FRD-së.
9 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Shkarkimi i kreut të SHISH, Rama: Turp!, FRD:Berisha po uzurpon institucionet kushtetuese burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip