Drejtori i ri i SHISH, njeriu më i besuar i Gazidedes
Drejtori i ri i Shërbimit Informativ Kombëtar, Vasho Lika, është njeriu më i besuar i ish- shefit të SHIK, Bashkim Gazidede.
Ish- pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ai hyri në SHIK pas emërimit në krye të tij të Bashkim Gazidedes.
Ai kryesoi për pesë vite Drejtorinë e Kundërzbulimit të Huaj, ose siç njihej ndryshe drejtorinë që ishte e vendosur në katin e katërt të Ministrisë së Jashtme.
Ai ishte përpilues i tezave për planin grek për copëtimin e jugut të Shqipërisë dhe përfshirjen e CIA në betejën kundër Berishës në vitet 1996- 1997.
Pas arratisjes së Bashkim Gazidedes në prill 1997, Vasho Ajazi Lika kryesoi de facto SHIK deri në dorëzimin e tij tek pasardhësi Arben Karkini.
Pas kësaj ai u punësua si nëpunës i PD në sektorin e jashtëm pranë Berishës së rikthyer në zyrat e PD-së dhe pas disa muajsh u largua si emigrant politik në Kanada.
U rikthye në Shqipëri në vitin 2005 dhe u punësua si këshilltar pranë kryeministrit dhe së fundmi si zëvendësministër i Ministrisë së Inovacionit e Teknologjisë së Informacionit, që kryesohet nga Genc Pollo.
Emërimi i tij në krye të SHISH, pa konsultën e palës amerikane, mund të shkaktoj një çarje të re në raportet e Berishës me SHBA për më tepër që në krye të SHISH është vendosur njeriu që u shpalli luftë në vitin 1996.