E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi i kryeprokurores, Sollaku: Të vendosë Kushtetuesja

 Madje zgjidhja se kur duhet të largohet nga detyra Prokurorja e Përgjithshme mund të vijë vetëm nga Kushtetuesja, sipas paraardhësit të saj Theodhori Sollaku. Partitë u treguan të paqarta sipas tij, kur me Kushtetutë në 2008-n i kufizuan mandatin kreut të organit të akuzës. Pasi nuk përcaktuan nëse ky kufizim prekte dhe titullarin në fuqi apo atë që vinte pas tij.

"Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë patur një mangësi lidhur me mandatin e prokurorit në detyrë. Ka një parim që ligjet, për më tepër dhe Kushtetuta, shtrirjen e efekteve të veta nga momenti i miratimit dhe më tej. Ndërkohë nuk ka asnjë klauzolë se çbëhet me prokurorin në detyrë. Çështja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm është një çështje tashmë e diskutueshme shumë, dhe  siç thashë i takon në fund të fundit Gjykatës Kushtetuese që të bëjë një interpretim përfundimtar", thotë Theodhori Sollaku, ish prokuror i Përgjithshëm.

Janë tre variantet për kufizimin e mandatit të Ina Ramës sipas Sollakut, por për të tre zgjidhja është vetëm Kushtetuesja. "Në vlerësimin tim mandati i përcaktuar në Kushtetutë vlen për Prokurorin pasaardhës dhe jo për këtë prokuror. Ndonjëherë dhe e vështirë se mund të pranohet kjo logjikë. Së dyti, varianti i dytë është që mandati 5-vjeçar fillon nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë muaji maj i vitit të ardhshëm, dhe një mendim i tretë është që fillon në 22 nëntor kur ka filluar mandatin prokurorja. Natyrisht janë disa momente që do të zgjidhen nga organet vendimmarrëse dhe nëse do të ketë konflikte, mundet në gjykatë Kushtetuese", tha Sollaku për “AS”.

Në 21 prill 2008, Kuvendi me unanimitet votash ndryshoi Kushtetutën, ku ndër të tjera mandati pa limit i Prokurorit të Përgjithshëm kufizohej me 5 vjet. Në  rast se Kushtetuesja sipas Sollakut, merr parasysh majin, kohën kur këto ndryshime hynë në fuqi, si skadimin e mandatit të Ina Ramës, sërish lind një tjetër problem.

Pasi në këtë muaj të 2013-s Kuvendi do të jetë i shpërndarë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, dhe nuk mund të zëvendësojë Ina Ramën, së cilës i duhet të qëndrojë në detyrë deri në një moment të dytë. /Start/

                                                                                             2012-06-25 08:30
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›