Te semuret, keqtrajtim ne burgje

TIRANË - Të drejtat e 76 të burgosurve që mbahen në spitalin e burgut, pasi kanë marrë masën mjekësore “mjekim të detyruar”, u shkelën me të “dyja këmbët”. Të paktën ky është konstatimi zyrtar i zyrës së Avokatit të Popullit, i cili në raportin e fundit të tij të bërë publik për vitin 2007, “nxin” dhe trajnimin që iu bëhet të dënuarve me mjekim të detyruar, të cilët janë persona të cilësuar si me probleme psikike që kanë kryer krime të ndryshme, duke mos qenë të përgjegjshëm. Sipas raportit më të fundit të Avokatit të Popullit të bërë publik vetëm pak javë më parë dhe të paraqitur në Kuvend, në muajin dhjetor të vitit të kaluar është bërë një inspektim në spitalin e burgjeve. Pas inspektimit që kishte si qëllim gjendjen e të sëmurëve mendorë, për të cilët gjykatat kanë marrë masën mjekësore të mjekimit të detyruar, rezultati i punës së përfaqësuesve të Avokatit të Popullit është se ata mbahen padrejtësisht në kushte burgimi, në kohën kur kanë nevojë për mjekim psikiatrik të specializuar. Në dhjetor 2007, në Qendrën Spitalore të Burgjeve u konstatua se atje ndodheshin 76 persona, të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale dhe gjykata ka vendosur ndaj tyre masën mjekësore “mjekim të detyruar” në një institucion psikiatrik. Sipas kësaj zyre, mësohet se ky është një problem kyç, që ka rreth 8 vite që ngrihet vazhdimisht nga institucioni i Avokatit të Popullit, por deri tani pa gjetur asnjë zgjidhje. Ndërkohë, një shkelje tjetër e konstatuar gjatë inspektimit në Qendrën Spitalore të Burgjeve ishte dhe shkelja e rëndë e nenit 46 të Kodit Penal, ku ndër të tjera thuhet: “Vendimi gjyqësor për masat mjekësore dhe edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë, por në çdo rast, gjykata kryesisht, është e detyruar që pas kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj”. Por nga 76 persona, për të cilët gjykatat tona kanë vendosur masën mjekësore “mjekim të detyruar” dhe që ishin në Qendrën Spitalore me afate që shkojnë nga 1 vit deri në 9 vjet, vetëm për një rast Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mirditë ka zbatuar nenin 45 të Kodit Penal, duke rimarrë në shqyrtim vendimin e dhënë prej saj ndaj shtetasit Marian Gjetë Hasani. Duke mos rishqyrtuar çdo vit masat e dhëna, nuk u krijohet mundësia personave që mund të jenë përmirësuar që të mjekohen në kushte të tjera, duke shkaktuar kësisoj një tjetër shkelje të të drejtave të njeriut për këtë kontingjent të burgosurish.