Shkarpa: Ura e Velabishtit, pasuri e rrallë kulturore që kërkon më shumë vëmendje

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Pavlo Shkarpa, kandidati i pavarur (mbështetur nga PD) për kryetar të bashkisë Berat në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, tërhoqi vëmendjen për gjendjen e rënduar të Urës së Velabishtit, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XVIII.
Sipas Shkarpës, ura përfaqëson një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore, një dëshmi të historisë dhe identitetit të Beratit, por aktualisht ndodhet në gjendje të mjerueshme, e lënë pas dore, e mbuluar nga mbeturinat dhe e kërcënuar nga shkatërrimi.
Ai kritikoi institucionet përgjegjëse, duke theksuar se Ministria e Kulturës dhe Dega Rajonale e Monumenteve të Kulturës duhet të marrin masa konkrete, ndërsa Bashkia e Beratit duhet të ketë më shumë kompetenca për të ruajtur dhe promovuar këtë vlerë historike, si një aset turistik dhe ekonomik për zonën.
“Nuk mund të kërkojmë zhvillim pa respektuar rrënjët tona. Nuk mund të flasim për turizëm kur monumentet tona po shemben nën sytë tanë. Berati meriton më shumë kujdes, përgjegjësi dhe dashuri për historinë e vet”, deklaroi Shkarpa.
/e.xh//a.f//r.e/