E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shkatërrohet një rrjet prostitucioni në Tiranë, 11 masa sigurie, mes tyre edhe një police

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Policia e Shtetit ka shkatërruar një rrjet prostitucioni në Tiranë me vajza të huaja nga Amerika Latine. Në kuadër të operacionit të koduar “Orkidea” janë lëshuar 11 urdhërarreste, prej të cilave 8 persona janë arrestuar dhe 3 të tjerë janë në kërkim.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat e një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe me Operacionalen e DVP Tiranë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Orkidea””, njoftoi Policia.

Si rezultat i këtij operacioni u ekzekutuan 11 masa sigurie. Konkretisht: Arrest me burg për shtetasin E. S., 39 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer në bashkëpunim, “Shfrytëzim i prostitucionit”; Arrest në shtëpi për shtetasen E. M., 47 vjeçe, si e dyshuar për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer në bashkëpunim, “Shfrytëzim i prostitucionit”; Arrest me burg për shtetasen Y. G., 33 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”; Arrest me burg për shtetasen L. V., 23 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”; “Arrest me burg” për shtetasen N. B, 27 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Veprim që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”; Arrest me burg për shtetasen S. M., 29 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”; Arrest me burg për shtetasen N. B., 27 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”: Arrest në shtëpi për shtetasen A. B., 34 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Sipas Policisë, “shtetasja G. R. 47 vjeçe (e shpallur në kërkim) drejtonte këtë aktivitet nga Kolumbia dhe në Shqipëri bashkëpunonte me shtetasin E. S., ky i fundit ishte personi përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për të ushtruar prostitucion”.

Po ashtu nga hetimi, njoftoi Policia, “ka rezultuar se shtetasja G. R dhe shtetasi E. S., bashkëpunonim me shtetaset kolumbiane dhe me shtetasen E. M dhe A. B (punonjëse policie) për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku këto shtetase do të ushtronin prostitucion”.

Policia bëri të ditur se po punohet për kapjen e 3 shtetasve në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›