E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Duhet sistem digjital për intervistat në Prokurori dhe Polici

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria mbështet institucionet e Drejtësisë, ndërsa ngriti shqetësimin e vendosjes së sistemit të menaxhimit digjital në institucione e Prokurorisë dhe Policisë.

Në konferencën e përbashkët ndërinstitucionale për të prezantuar rezultatet e vlerësimit të zbatueshmërisë së raundit të 5-të të vlerësimit të GRECO, Rama tha se ende sot intervistat në Prokurori dhe Polici bëhen ende pa audio dhe video.

“Në sistemin e Drejtësisë, jemi akoma në Epokën e Gurit. Intervistat në Prokurori, që nga ato të juridiksionit të përgjithshëm, deri tek ato specialet, edhe në Polici, bëhen pa audio dhe video, por me shënime”, deklaroi Rama.

Kjo, theksoi ai, është vënë në pah edhe nga institucionet ndërkombëtare.

“Është një nga gjërat që duhet korrigjuar me urgjencë dhe ne do ta korrigjojmë me urgjencë, duke vazhduar t’i mbështesim fuqimisht institucionet e Drejtësisë, sikurse institucionet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi. Shpresojmë që më në fund do të bëhet realitet edhe sistemi i menaxhimit digjital të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor, një projekt që tanimë ka një vonesë të palogjikshme, por që shpresoj se do të vihet në vijë dhe uroj që KLGj të mos e vonojë më. Ne si qeveri kemi angazhuar fondet për të realizuar këtë program”, theksoi Kryeministri.

Krijimi i një sistemi shtetëror të mirëndërthurur, vijoi Kryeministri, do të jenë efektive në parandalimin e ngjarjeve.

“Krijimi i një sistemi shtetëror të mirëndërthurrur, ku paralelisht me luftën kundër korrupsionit garantohet liria, të drejtat e njeriut, e drejta e publikut për të pasur transparencë të plotë, ku garantohet konkurrenca e lirë dhe ato elementë që bëjnë një shtet demokratik, një demokraci funksionale, të denjë për familjen e bashkuar europiane janë thelbësore”, tha Rama.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›