E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrohet rrjeti i falsifikatorëve, hisnin 2000 euro një dokument

06/04/2011  Antikrimi Ekonomik, aksion në disa rrethe, zbulohen bazat, 4 në pranga, 2 në kërkim

TIRANË- Katër falsifikatorë kanë përfunduar në pranga dje nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së qarqeve Tiranë dhe Durrës dhe Njësinë e Hetimore Task Forcë pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës. Nga burimet zyrtare mësohet se pas një hetimi tremujor, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Trekëndëshi i dytë”, gjatë të cilit u bë e mundur goditja e dy bazave të falsifikimit, si dhe arrestimi i shtetasve Ermal Mana, 24 vjeç, banues në Durrës, Myslim Hysko, 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve, i cili duke qenë në proces hetimi të mëparshëm me masë sigurimi arrest në shtëpi për të njëjtën vepër penale, ka vazhduar aktivitetin e falsifikimit, Tonin Lekgegaj, 41 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve dhe Agim Ahmataj, 29 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes me dhunë. Po ashtu u shpallën në kërkim dy persona të tjerë. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë, në dy baza falsifikimi në Tiranë dhe Durrës, kundrejt pagesave që varionin nga 50 deri në 2000 euro, pajisnin shtetas të ndryshëm me dokumente të falsifikuara si: leje qëndrimi për jashtë Shqipërisë, leje qarkullimi, siguracione për automjete, pasaporta të shteteve të ndryshme, etj. Hetimi që bëri të mundur zbulimin e aktivitetit të tyre kriminal filloi bazuar në mashtrimin bërë një qytetari se do i prodhonin dokumente të rregullta. Gjatë kontrollit të ushtruar u sekuestruan dokumente të falsifikuara si: leje qarkullimi, vërtetime në emër të institucioneve të ndryshme shtetërore, fletë pasaportash italiane që përdoreshin për falsifikime, dy pasaporta shqiptare tip i vjetër të falsifikuara, tre kompjuterë, printerë, skaner, USB e CD që përdoreshin për falsifikim të dokumenteve,

3 automjete: tip Benz 469KS655, Audi A4, DR 0012 F, tip Benz TR 4209 U, 4 telefona celular dhe dhjetëra karta telefoni celular, etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›