Shkelën rregullat e qarkullimit, gjobiten 1621 shoferë në Durrës

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ Policia Rrugore Durrësit ka kryer monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.
Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 24-31 gusht, janë arrestuar 8 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 1621 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht: 30 masa për parakalime të gabuara; 965 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 518 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar; 23 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetiti; 44 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit; 41 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
/m.q/a.f/r.e/