E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Shërbimet mjedisore në proces të plotë digjitalizimi, aplikimet përmes një sistemi të integruar

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Shërbimet mjedisore po kalojnë në një proces të plotë digjitalizimi, duke synuar reduktimin e burokracisë, rritjen e transparencës dhe ofrimin e shërbimeve më të shpejta për qytetarët dhe bizneset.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj bëri të ditur se aplikimet për leje, licensa dhe shërbime pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit tashmë kryhen online, përmes portalit “e-Albania”.

Në një videomesazh, Jaupaj thekson se më parë procedurat për pajisjen me leje mjedisore dhe për vlerësimin e ndikimit në mjedis kryheshin përmes kanaleve të ndryshme, ndërsa sot janë të integruara në një sistem të vetëm, Sistemin e Integruar Mjedisor, SIM-IT.

Ai shpjegoi se subjektet mund të aplikojnë online për lejet mjedisore dhe procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, ndërsa nga ky moment aplikimet menaxhohen përmes sistemit SIM-IT.

Përmes kësaj platforme kryhet edhe raportimi i vetëmonitorimit për respektimin e kushteve mjedisore, aplikimi për dëgjesat me publikun, pajisja me kodin unik, si dhe administrimi i regjistrit të transfertave të mbetjeve.

“Pra, kemi më pak burokraci, më pak kohë të humbur dhe më shumë transparencë”, theksoi Jaupaj.

Sipas tij, digjitalizimi i shërbimeve mjedisore përbën një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e ofrimit dhe administrimit të këtyre shërbimeve.

“SIM-IT nuk është një platformë e re, por një revolucion digjital i shërbimeve mjedisore në Shqipëri”, përfundoi ministri Jaupaj.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›