E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkelje nga GJKKO? Berisha dorëzon kërkesë-padi në ‘Kushtetuese’

Që prej orës 10:00, në një mbledhje me dyer të mbyllura në Gjykatën Kushtetuese, po shqyrtohet kërkesë-padia e kryedemokratit Sali Berisha. Ky i fundit, siç raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, ka ankimuar ligjshmërinë e masës së “arrestit në shtëpi”, caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”. 

Kjo nisur nga seanca për informacion 2 mujor të hetimit të SPAK për Berishën, që u zvarrit vitin e shkuar. 

Më konkretisht, më 19 korrik 2024, GJKKO vendosi shtyrjen e mbajtjes së seancës, për në datën 30 të atij muaji. Po ashtu, Gjykata nuk u shpreh për revokimin e masës së sigurimit. Avokatët e Berishës asokohe kërkuan papërdorshmëri dhe pavlefshmëri të provave dhe përsëritën kërkesën për shfuqizim të masës “arrest në shtëpi” me arsyetimin se nuk ekzistonin kushtet dhe kriteret. 

Kështu, mbrojtja e ish-kryeministrit pretendon shkelje proceduriale dhe tejkalim të afateve ligjore nga ana e GJKKO-së. Tanimë, pritet që Kushtetuesja të thotë fjalën e fundit, sepse në rast se një gjë e tillë rezulton e vërtetë, edhe çështja për të cilën është nën hetim Berisha mund të marrë tjetër drejtim. 

Kujtojmë se Berisha u lirua në nëntor të 2024-ës, pas afro 11 muajsh, i izoluar në banesën e tij. 

Gjatë asaj kohe, ai e ka zhvilluar vazhdimisht betejën në gjyqësor me ankimime të herëpashershme. 

Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të cilën e zbaton ende sot, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, dhe që mund të vihet në pikëpyetje nëse kjo kërkesë-padi nuk rrëzohet. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›