Shkëlqim Berisha dhunon dhe kërcënon me pistoletë kryetarin e Bashkisë së Gramshit

Shkëlqim Berisha
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlqim Berisha, ka kërcënuar me pistoletë kreun e Bashkisë së Gramshit, pas një konflikti me drejtuesit e bashkisë lidhur me çështjen e vendosjes së flamujve të PD dhe PS në qytet.
Berisha, një i afërm i kryeministrit Berisha, i kthyer nga azili politik në vitin 2005 prej SHBA, është emëruar në një post të rëndësishëm në Ministri të Mbrojtjes prej vitesh.
Ai është tani pjesë e stafit të ministrit Imami në Gramsh dhe sot është bërë protagonist i një sulmi fizik mbi drejtuesit e Bashkisë. Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Dritan Bici, është konfliktuar me të lidhur me çështjen e vendosjes së flamujve në fushatë. Ai tha se është goditur dhe kërcënuar me armë nga Berisha.
Jam kërcënuar nga një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes. Më ka goditur me grusht fillimisht dhe më pas më ka kërcënuar me armë, tha Bici.
Bici ka sqaruar se Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin që Partia Demokratike të vendosë flamuj në krahun e djathtë të bulevardit të qytetit, ndërsa Partia Socialiste në krahun e majtë. Por PD ka kërkuar të pushtojë dhe krahun e majtë.
Drejtuesi i policisë, një kushëri i parë i Flamur Nokës, nuk ka reaguar dhe pse zyrtari ka përdorur armën publikisht.