Shkëlqim Muça: Rrezikojmë të jemi viktimë e gjykimit të njëanshëm
Humbja 2-1 e Dinamos në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, në fushën e Shkumbinit ka lënë një shije të hidhur te blutë. Skuadra, e cila po dominon kampionatin elitar në vend, pësoi humbjen e dytë në po kaq takime të zhvilluara në Peqin. Terreni ishte përsëri i papërshtatshëm për një ndeshje futbolli dhe trajneri Shkëlqim Muça akuzon drejtpërdrejt gjyqtarin Sokol çekaj, për të cilin deklaroi se u shndërrua në protagonistin negativ. “Fusha e Peqinit ishte në gjendje të mjerueshme dhe natyrisht që aty nuk mund të luhej. Por, duke qenë se kjo ndeshje ishte shtyrë një herë për shkak të terrenit të keq, gjyqtari vendosi që ajo të luhej. Ne ishim kundër këtij vendimi, por nuk ishte Dinamoja ajo që mund të thoshte fjalën e fundit”, deklaroi drejtuesi i stolit blu.
“Personalisht e kam kontestuar arbitrimin, pasi gjyqtarët ishin pa dyshim protagonistë në rezultatin final. Nuk po flas vetëm për episodet e penalltive, të cilat edhe mund të mos akordoheshin, por për gjykimin në tërësi. Nuk flas vetëm një moment, por ecurinë e të gjithë 90-minutëshit të lojës dhe gjyqtarët e asistentët ishin tendenciozë në të gjitha vendimet: ndërhyrjet, faullet, ndërprerjet dhe të gjitha elementet që karakterizojnë një ndeshje futbolli. Kjo më bëj të mendoj edhe për më tej: duke qenë se Dinamo e ka mbyllur garën në kampionat, gjykimet e ndeshjeve të tjera rrezikojnë të jenë të njëanshme: duhet të hyjmë në fushë me mendimin se arbitrit do të favorizojnë ekipet kundërshtare, duke qenë se për ne gara në kampionat mund të quhet e përfunduar”.
Muça ka shpjeguar edhe arsyet përse zgjodhi të mos aktivizonte Bakajn, Sefën apo argjentinasin Soza, tre elementë shumë të rëndësishëm të dinamovitëve. Zgjedhja taktike lidhet në mënyrë të paevitueshme me terrenin: “Ata janë lojtarë teknikë, që lëvizin mirë me topin dhe në një fushë të tillë do ta kishin të pamundur që të paraqiteshin në nivelet e tyre më të mira”. Gjithsesi, goli në fushën kundërshtare është një avantazh për kryeqytetasit, të cilët kanë shanse të mira për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e aktivitetit të dytë për nga rëndësia në vend. “Nuk mund të pretendonim më tepër nga skuadra në kushtet në të cilat po luanim. Një lajm pozitiv është që nga kjo ndeshje dolëm pa dëmtime dhe terreni i vështirë nuk e komprometoi ecurinë tonë të mëtejshme. Natyrisht, që në një trofe si Kupa e Shqipërisë, goli në fushën kundërshtare ka vlera të dyfishta. Do të luajmë edhe 90 minuta, këtë herë në fushën tonë dhe do të japim më të mirën që të kualifikohemi”.
#