E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri Sander: Skela do të jetë në fushë në kohën e duhur

Tus Koblenc

U transferua te Tus Koblenci si një prej lojtarëve që mund ta ndihmonte skuadrën të mbijetonte në Bundesligën 2. Megjithatë, ky sezon nuk është ndër më të mirët për Ervin Skelën. Mesfushori i kombëtares shqiptare është aktivizuar shumë pak, mbi të gjitha në fazën e dytë të kampionatit. Në gjashtë takimet e luajtura deri më tani në gjysmën e dytë të këtij edicioni, 33-vjeçari ka luajtur vetëm 110 minuta lojë. Prej emërimit në krye të stolit të trajnerit Petrik Sander, Skela ka humbur formacionin dhe është shndërruar në një lojtar zëvendësues. Për revistën gjermane, “Kicker”, trajneri ka zbuluar arsyet përse nuk është mbështetur te kualiteti i fantazistit të përfaqësueses kuqezi dhe tek eksperienca e tij. “Në momentin kur në krye të skuadrës emërohet një trajner i ri, ai e ka mjaft të vështirë që të bëjë një analizë të saktë të gjendjes së ekipit. Megjithatë, personalisht e cilësoj avantazh faktin që e njoh prej kohësh Skelën. Me të kam një marrëdhënie besimi reciprok”, deklaroi Sander. “Unë e njoh potencialin e Ervinit, anët e tij të forta dhe anët e dobëta. Megjithatë, për momentin synimi im kryesor është që në fushën e lojës të hedh skuadrën më të mirë të mundshme, për të marrë rezultatet e dëshiruara, dhe jo domosdoshmërisht 11 futbollistët më të mirë”. Trajneri i Koblencit ka konfirmuar se vlonjati është i zhgënjyer nga situata e krijuar, por ai theksoi se Skela do të zbresë në fushë në momentin e duhur “E kam të qartë faktin, se ashtu si ndodh me çdo lojtar që nuk luan, edhe Skela është i zhgënjyer. Megjithatë, më duhet të gjej kohën e duhur për ta aktivizuar, momentin kur aftësitë e tij do t’i shërbejnë skuadrës”. Ndryshe nga mesfushori, bashkëjetesa me Sander është e lumtur për një tjetër element të Kombëtares sonë: Edmond Kapllanin. Prej huazimit në janar nga Augsburgu, sulmuesi jo vetëm që luan në formacion, por është rikthyer edhe te goli.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›