E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu kthen shpresën, Teuta K.O

Korçarët fitojnë 3-0 ndeshjen e prapambetur: Roshi dopjetë, Guerrib një gol

Skënderbeu i ri, me një fytyrë të re, rikthehet në kampionat falë një triumfi shkatërrues 3-0 ndaj Teutës në ndeshjen e prapambetur të vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore. Tashmë afrimi i disa biznesmenëve të njohur të zonës së Korçës dhe disa blerje të goditura në merkaton e dimrit, kanë filluar të prodhojnë frytet e para. Protagonisti i padiskutueshëm i fitores së kuqebardhëve me dy golave të bukur të tij ishte Klevis Roshit, i cili është shndërruar në lider të skuadrës juglindore. Blerja dimërore e minutave të fundit e korçarëve në merkaton e janarit shënoi një dygolësh në harkuan e 15 minutave, 51’ e 66’, dhe u shndërruar kështu në heroin e takimit. Ndërsa njeriu që vulosi fitoren e vendasve, ishte sulmuesi kroat, Milain Guerrib, i cili realizoi in-extremis golin e 3-0 për “ujqërit e dëborës”. Në një terren disi të rënduar, që u kthye në baltë me kalimin e minutave, të dyja skuadrat kanë dhuruar luftë të fortë sportive dhe i kanë mbajtur në ankth të madh tifozët e pranishëm, që ishin në një numër të konsiderueshëm. Skënderbeu kishte një rrugë të vetme, për të cilën edhe kishte premio speciale nga Presidenca, 1 milion lekë për lojtar, që të fitonte. Gjë të cilën e ka arritur, me tre gola të bukur, duke shtuar edhe 3 pikë të tjera në llogarinë e vet. Kjo fitore u jep shpresë korçarëve të shpresojnë për vazhdimësinë e garës. Skënderbeu nuk e shijonte fitoren në një ndeshje të kampionatit pas një serie të gjatë prej 16 javësh, më saktë nga 19 shtatori i vitit 2009, që kur skuadra korçare, atëherë nën drejtimin e Gert Haxhiut, kishte fituar 4-1 kundër Gramozit në javën e 4-t. Skënderbeu ngjit në kuotën e 18 pikëve, por duke qëndruar sërish në vend të fundit (1 pikë më pak se Gramozi, 19), ndërkohë që ka dhe një ndeshje për të luajtur nga faza e dytë, atë kundër Shkumbinit. Ndeshja kishte edhe një sfidë specifike brenda saj, pasi përballë njëri-tjetrit ishin dy trajnerë, Mirel Josa (Skënderbeu) dhe Ylli Shehu (Teuta), të cilët ishin së bashku gjatë 19 javëve të para të këtij edicioni te skuadra durrsake. Ky ishte dhe takimi i 116-të midis dy skuadrave, ku bilanci flet në favor të Skënderbeut me 48 fitore, 35 barazime dhe 33 fitore të Teutës. Skënderbeu ka shënuar 123 gola, ndërsa Teuta, 116. Në fazën e parë, Teuta kishte fituar 2-0 me Skënderbeun në “Niko Dovana”, pikërisht kur në pankinë kishte Mirel Josën. Ndërkohë që të dielën do të luajë takimin e dytë të pazhvilluar, atë kundër Shkumbinit (java 22), e që do të sistemojë përfundimisht renditjen e Superligës për kalendarin virtual të fazës së tretë. Sidoqoftë, skuadra korçare është krejtësisht tjetër dhe tashmë në qytetin juglindor, të gjithë besojnë se ky ekip do të mund të shmangë rënien nga kategoria.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›