E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqimi i shqiptarëve

Numri i futbollistëve shqiptarë, të cilët po marrin pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror, është aq i madh si asnjëherë më parë. Përveç kuqezinjve të Shqipërisë, në eliminatoret për botërorin ‘Brazili 2014’ po garojnë edhe rreth trembëdhjetë futbollistë tjerë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, por të shpërndarë nëpër përfaqësuese të shteteve tjera. E më e rëndësishmja është se të gjithë ata po shkëlqejnë.

Prej vitit në vit shqiptarët po shkojnë duke përparuar në futboll. Këtë e konfirmon edhe fakti se numri i futbollistëve shqiptarë që po e kërkojnë kualifikimin në kampionatin botëror ‘Brazili 2014’ është shumë i madh.

Madje, nuk mbahet mend që një numër aq i madh i shqiptarëve të ketë marrë pjesë ndonjëherë në ndonjë palë kualifikimesh për Botëror apo Evropian.

Përveç kuqezinjve të Shqipërisë, në eliminatoret për botërorin ‘Brazili 2014’ po garojnë edhe rreth trembëdhjetë futbollistë tjerë shqiptarë, kryesisht me origjinë nga Kosova, por të shpërndarë nëpër përfaqësuese të shteteve të ndryshme të Evropës.

E më e rëndësishmja është se të gjithë ata po shkëlqejnë me skuadrat e tyre. Ndriçimi i tyre më së miri u vërejt të martën mbrëma. Përpos kuqezinjve të Shqipërisë, që e mposhtën në Tiranë Slloveninë me rezultat 1:0, të martën shkëlqyen edhe shqiptarët e shpërndarë nëpër shtete tjera.

Fillojmë nga Maqedonia. Shteti fqinj i ringjalli shpresat për të udhëtuar drejt ‘Brazilit 2014’ falë fitores prej 1:0 që e shënoi në Shkup ndaj Serbisë. Maqedonasit e fituan këtë përballje në kurriz të tre futbollistëve shqiptarë të tyre – Ferhan Hasani, Muhamed Demiri dhe Agim Ibrahimi.

Ky i fundit e shënoi golin e fitores nga penaltia, të cilën e kishte përfituar Hasani, të cilit i kishte ndërhyrë ashpër Tomoviç, me ç’rast serbi ishte përjashtuar nga loja me karton të kuq. Duhet theksuar se katër ditë më herët pikërisht Ibrahimi e kishte realizuar edhe golin e vetëm për ekipin e tij në humbjen e pësuar prej 1:2 nga Kroacia.

“Është kjo një fitore shumë e madhe për neve pasi nuk është punë e vogël të fitosh Serbinë. Besoj se Maqedonia meriton më tepër”, ka thënë sulmuesi i Wolfsburgut, Ferhan Hasani.

Në këto eliminatore po shkëlqejnë edhe pesë shqiptarët e Zvicrës - Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi. Skuadra e tyre është në rrugë të mirë për t’u kualifikuar në ‘Brazilin 2014’, sidomos pas fitores që e shënoi të martën mbrëma si mysafire e Islandës, 0:2. Kontribut të madh në këtë fitore dha e gjithë ‘pesëshja shqiptare’, që tashmë konsiderohet si ‘shtylla’ kryesore e shtetit helvetik.

E marta natë fatlume ishte edhe për dy kosovarët tjerë – Valon Berishën e Ardian Gashin. Kjo pasi skuadra e tyre, Norvegjia fitoi si mysafire e Qipros me rezultat 1:3. Kështu, për Berishën kjo ishte fitorja e parë e një takimi zyrtar me Norvegjinë, sikurse Gashi që iu rikthye me fitore fanellës së këtij shteti, që ka gjasa reale të udhëtojë drejt ‘Brazilit 2014’.

Në këto kualifikime mirë po kalon edhe Fatos Beqiraj me Malin e Zi. Sulmuesi kosovar nuk luajti fare të martën si mysafir i Ukrainës, ngase ekipi i tij ishte i koncentruar ta përmbyllte ndeshjen me rezultat 0:1, gjë që e arriti. Por, pejani tashmë është bërë një lojtar i rëndësishëm i shtetit fqinj.

Duhet theksuar se në këto kualifikime rol të rëndësishëm për Finlandën po luajnë edhe dy kosovarët e tjerë – Përparim Hetemaj e Njazi Kuqi.

Andaj, edhe nëse Shqipëria nuk ia del të udhëtojë drejt ‘Brazilit 2014’, atje shqiptarët do t’i kenë sërish ambasadorët e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›