Shkëndija, në Shkup për tre pikë Liga e dytë e Maqedonisë, java e 12-të

RESHAT IBRAHIMI (Shkup, 7 nëntor) – Shkëndijën e Tetovës e pret një detyrë e vështirë në Shkup, përballë Maxhari Solidarnostit. Në rast të një fitoreje të re djemtë e trajnerit Uran Ymeri do t’i afroheshin kreut të renditjes tabelore, në të cilat vende gjenden Drita, Slloga dhe Teteksi. “Ne do ta japim maksimumin dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Ndeshja me Maxharin që zhvillohet në Shkup është e një rëndësi të veçantë, pasi me tre pikë të reja do të jemi edhe më afër synimit tonë. Në gjashtë takimet e fundit kemi katër fitore dhe dy barazime, prandaj shpresoj se edhe pas kësaj jave do të vazhdojmë serinë e ndeshjeve të mira”, është shprehur Ymeri, duke shtuar: “Kundër Maxharit do të jemi pa mbrojtësin Erhan Selimi, i cii ka tre kartonë të verdhë, ndërsa pak para fillimit të lojës do të vendosi nëse do të aktivizohet Rutevski. Nuk dua të rrezikojmë, sepse të martën e kemi edhe një ndeshje të vështirë përballë Lokomotivës në shtëpi”, ka bërë të ditur trajneri kuqezi Uran Ymeri. Në ndeshjet tjera Slloga në fushë të vet do të ballafaqohet me Miravcin, dhe nga ky takim pritet që “pëllumbat” nga Çairi tu kthehen fitoreve. Ndërkohë një udhëtim të vështirë mund ta ketë lideri i ligës së dytë Drita, e cila i shkon në mejdan Kozhuvit në Gjevgjeli. Skuadra e trajnerit Jeton Beqiri me rezultat pozitiv shpreson të kthehet nga kjo përballje jo e lehtë.
Ndeshjet:
Bregallnica – Skopje
Maxhari – Shkëndija
Lokomotiva – Vardar D.
Bellasica – Ohri
Novaci – Nov Milenium
Slloga – Miravci
Teteksi – Cementarnica
Kozhuv - Drita
E Premte, 07 Nentor 2008