E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkërmoqet partia e Ndokës. Ikën Pashk Ujka

Grupi i demokristianëve nuk gjen paqe. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, penalizon kryetarin e grupit parlamentar demokristian, Pashk Ujka, duke e shkarkuar në mënyrë të fshehtë nga funksioni i tij partiak. Megjithëse Pashk Ujka nuk ishte në dijeni të këtij vendimi, zyra e shtypit pranë PDK-së konfirmon emërimin e Ndue Shpanit në krye të grupit parlamentar dhe e cilëson si dorëheqje largimin e Ujkës nga drejtimi i grupit. Tensioni është rritur ndjeshëm në radhët e deputetëve demokristianë, ku në ditët në vijim do të ashpërsohen edhe tonet mes radhëve të PDK-së. Pas Ujkës priten largime të reja, duke sjellë në këtë mënyrë përçarjen e PDK-së. Në një konferencë të posaçme për shtyp, ish-kreu i grupit kuvendor të PDK-së ka bërë me dije se kërkon shkrirjen e grupit kuvendor të PDK-së, për shkak se ai është informal dhe jo ekzistent. Ujka paralajmëron gjithashtu se atij do t‘i bashkohen edhe deputetë të tjerë demokristianë, duke specifikuar emrat e Tom Doshit dhe Ymer Tolës. "Vendimi që kanë marrë është absurd. Kërkoj shkrirjen e grupit të PDK-së dhe i ftoj të gjithë demokristianët të bashkohen kundër Nard Ndokës, për të përfaqësuar vlerat e vërteta të demokristianëve", tha Ujka, duke pranuar se ai personalisht do të bashkohet me partinë e Nikollë Lesit. Nga ana tjetër, Partia Demokristiane njofton se duke filluar nga data 22 prill, kryetar i grupit parlamentar të saj do të jetë Ndue Shpani, njëherësh sekretar i përgjithshëm i PDK-së. Sipas këtij njoftimi nga zyra e shtypit të PDK-së, "vendimi për të pranuar dorëheqjen e ish-kryetarit të grupit, Pashk Ujka, erdhi edhe për shkak të qëndrimeve të tij personale dhe të përsëritura politike kundër vullnetit politik të grupit parlamentar, si dhe paaftësisë së tij për të menaxhuar dhe drejtuar me kompetencë grupin parlamentar. Me prezencën e vet parlamentare dhe nën drejtimin e kryetarit të ri të grupit, PDK-ja do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm politik, si një nga partitë kryesore në koalicionin qeverisës dhe një parti me shtrirje të gjerë e të qëndrueshme elektorale". Qëndrimi i rreptë i kryetarit Ndoka, duke akuzuar një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, si të paaftë në rolin e menaxhimit të grupit parlamentar, pritet të shoqërohet me replika të ashpra të deputetëve të PDK-së. Në të vërtetë, kreu i grupit të PDK-së, Pashk Ujka, është shkarkuar menjëherë për qëndrimin që ka mbajtur të hënën në Kuvend. Vendimi për Ujkën është marrë në fshehtësi pa e njoftuar më parë atë. Zërat brenda PDK-së konfirmojnë ikjen e deputetit Tom Doshi, Ymer Tola, natyrisht pas shkarkimit edhe Pashk Ujkës. Megjithatë nuk dihet ende qëndrimi zyrtar i deputetëve demokristianë, për shkak se kërkimi i dorëheqjes së kryetarit të grupit duhet të shkojë më parë në Kryesinë e PDK-së. Sipas rregullores, grupi i PDK-së shkrihet, por vendimi përfundimtar do të merret pas kthimit të kreut demokristian nga Skocia. Pra, grupi pritet të shkrihet sipas rregullores, në rast se kryetari Ndoka nuk arrin dot të bindë deputetët e tij. Deri tani, kundër Ujkës janë vetëm katër deputetë të PDK-së, ndërsa deputeti Tom Doshi dhe Ymer Tola kanë kundërshtuar largimin e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›